
Zëri i Amerikës, që ka folur në 54 gjuhë të botës, është histori që nuk fshihet, u shpreh gazetarja Mirela Minori gjatë diskutimit në studion e “Top Story” për mbylljen e agjencisë amerikane të lajmeve.
“Zëri i Amerikës hyn tek ato mediat, që janë asete jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për të gjithë median. Një media, e cila ka nisur në Luftën e Dytë Botërore dhe që bënte propagandën amerikane dhe propagandën e aleatëve kundër nazizmit. Një media, që ishte palë e reagimit amerikan, natyrisht që do të kishte kulmet e saj dhe do të kishte normalitetin e saj. Nuk mund të them që ka qenë media më e mirë gjatë 80 viteve të ekzistencës së saj, di të them që është një media që ka folur në 54 gjuhë të botës. Ka tentuar të hyjë në zonat në konflikt, kjo është histori dhe emocion për njerëz që kanë punuar atje. Ndoshta nuk ka qenë agjencia më e mirë federale, por sikurse e thashë, nuk mund të flasim për rëndësinë që ka”.
Megjithatë, vijoi Minori, mbyllja e kësaj agjencia nuk tregon ndryshimin e politikës amerikane në vende ku Zëri i Amerikës transmetonte.
“Jemi në një moment të dytë, ku vjen një administratë, e cila mendon ndryshe, ka një qasje ndryshe. Është shumë herët për të folur si do të veprojë, por nuk e shoh Zërin e Amerikës si ndryshim të politikës amerikane në rajon, në vendet ku Zëri i Amerikës transmetonte. Nuk e lexoj si një sinjal që pas mbylljes së Zërit të Amerikës, do të kemi një ndryshim të politikës amerikane. Nuk dua t’i lidh këto të dyja. Mendoj se do të gjenden mënyra të reja komunikimi, nuk e dimë se si, por nuk mendoj se do të ketë vakum. Mund të jetë një mënyrë tjetër komunikimi, por është shumë herët për të folur”.
Top Channel