Telefonata Erdogan-Trump, presidenti turk kërkon heqjen e sanksioneve ndaj Turqisë dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve

16/03/2025 18:00

Në bisedën e tij telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan diskutoi marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe SHBA-së, si dhe çështje rajonale dhe globale.

Erdogan i shprehu presidentit amerikan besimin e plotë se si dy vende aleate, Turqia dhe SHBA-ja do të avancojnë bashkëpunimin e tyre në periudhën e re me një frymë solidariteti, me fokus rezultatin dhe me sinqeritet.

Më në detaje, siç njoftoi Presidenca turke, presidenti turk ka ngritur çështjen e sanksioneve amerikane CAATSA ndaj Turqisë. Në veçanti, ai bëri thirrje për përfundimin e procesit të prokurimit të F-16 dhe rikthimin e pjesëmarrjes së Turqisë në programin F-35, për të forcuar bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.

Presidenti Erdogan theksoi gjithashtu se është e rëndësishme të kontribuojnë së bashku për rivendosjen e stabilitetit në Siri, funksionimin e administratës së re dhe heqjen e sanksioneve kundër Sirisë për normalizim.

Më tej, Erdogan tha se zhvillimet rajonale dhe globale e bëjnë të nevojshme intensifikimin e konsultimeve midis Turqisë dhe SHBA-së për të gjitha çështjet.

Ai vuri në dukje se Turqia mbështet fuqishëm hapat e menjëhershëm të ndërmarra nga presidenti Trump për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa shtoi se Turqia, që nga fillimi i konfliktit, ka punuar për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta