
Situatë e tensionuar është krijuar në oborrin e spitalit të Koçanit, ku familjarët kërkojnë me çdo kush të marrin trupat e të afërmve të tyre.
Dhimbje, trishtim, frikë dhe lot në sytë e familjarëve që prisnin në oborrin e spitalit për të marrë informacione për gjendjen shëndetësore të të afërmve të tyre.
“Të gjithë filluan të vrapojnë drejt daljes. Të gjithë shihnin si ta shpëtojnë jetën. Askush nuk ishte i vetëdijshëm, trupa të djegur. Të gjithë ishin nën stres. Motra ime ka humbur, nuk mund ta gjejmë në asnjë spital…. Duke dalë jashtë rashë në tokë dhe njerëzit shkelën mbi mua”, tha një e mbijetuar.
Pjesë nga intervista me të mbijetuarën:
E mbijetuara: Ndodhi me shpejtësi, nuk e mbaj mend si u lëndova dhe si arrita deri në spital.. Kam djegie në kokë dhe nëpër duar.
A ishit të ftuar?
E mbijetuara: Për fat të keq po.
A tërhoqët dikën me vete? A ndihmuat apo ju ndihmuan?
E mbijetuara: Asgjë nuk mbaj mend, vetëm e di se një zjarrfikës më tërhoqi dhe më tej asgjë më nuk di.
-A e dini se në çfarë kohe ka ndodhur?
E mbijetuara: Mendoj se rreth orës 3 e gjysmë, ashtu disi, gjithçka ndodhi me shpejtësi.
A jeni të lënduar nga turmat apo nga djegiet?
E mbijetuara: Jo, nga djegiet.
Qytetarët dhe të afërmit shprehen të tmerruar nga kjo fatkeqësi.
“I biri i një mikut tim punonte sigurim, u helmua me monoksid, merrte pjesë në tërheqjen, thotë se ishte e tmerrshme, do të ju lutem kaq, nuk mundem më tepër”, u shpreh një familjar.
Ndihmë ofroi edhe Kryqi i Kuq. Kryetari, Sait Saiti tha se aktualisht nuk ka nevojë për dhurim të gjakut për pacientët.
“Sa i përket gjakut, për momentin nuk kemi nevojë, rezervat e sistemit shëndetësorë janë të mjaftueshme, nëse ka nevojë eventualisht këtu jemi. Mirëpo për momentin nuk ka nevojë të mobilizohemi për një aktivitet të tillë”, tha Sait Sati, Kryqi i Kuq.
Top Channel