Kjo valë e madhe goditëse me flakë e copa predhash, mesditën e 15 marsit të vitit 2008, i mori jetën 26 personave, punonjës të fabrikës së demontimit dhe banorë të fshatit Gërdec. 300 prej tyre u plagosën rëndë.

Qindra shtëpi u shkatërruan dhe dëmi ekonomik u raportua i pallogaritshëm. E kthyer si një fabrikë e demontimit të municioneve, qindra tonë me barut të grumbulluar në oborrin e jashtëm u kthyen në vatër gjigande që hodhi në erë gjithçka që gjendej aty.

Në hetimet e mëpasshme, ku u ngritën akuza ndaj 28 shtetasve, prokuroria deklaroi se shkaku i shpërthimit ishte futja në perimetrin e fabrikës së Gërdecit e një karroce të sapo salduar. Ndërsa doli në dritë jo vetëm punësimi i banorëve të patrajnuar, të cilët punonin në procesin e demontimit, por edhe skandali i shfrytëzimit të ushtrisë për transportimin e municioneve të kalibrave të ndryshëm dhe zgjedhja e një fabrike demontimi brenda një qendre banimi.

Mes 19 të dënuarve nga drejtësia ishte emri i shefit të shtabit Luan Hoxha, Ylli Pinarit, ish-drejtorit të fabrikës Dritan Minxolli, biznesmenit Mihal Delijorgji dhe një numri të lartë ish-ushtarakësh, të dënuar për shpërdorim detyre. 9 të tjerë morën pafajësi.

Por, ndërsa familjarët e viktimave të tragjedisë e konsideronin një krim shtetëror dhe kërkonin hetime, njeriu që u kthye në simbol të luftës për drejtësi ishte Zamira Durda, nëna e Erisonit që u vra atë ditë në fshatin e tij Gërdec në moshën 7 vjeçare.

Me kërkesat që duhej hetuar ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, familja Durda vuri në lëvizje SPAK-un, që rihapi tragjedinë e Gërdecit. Ish-ministri Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë, edhe sipas kodit ushtarak, edhe sipas kodit penal, dhe prej muajsh është nën gjykim në Gjykatën Antikorrupsion, seanca të cilat ndiqen rregullisht edhe nga familjarët e fëmijës së vrarë në tragjedinë e 15 marsit.

Ndërkohë, që aktualisht SPAK vijon të ketë të hapur një hetim tjetër për Gërdecin, të cilin nuk e ka finalizuar ende.

Top Channel