
Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.
Rregullatori i energjisë tha në Facebook se, bazuar në rezultatet e raportit të tij konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, rritja mesatare e tarifave për konsumatorët pritet të tjerë 15 për qind dhe ftoi konsumatorët për konsultim publik.
Ajo tha se komentet dhe sugjerimet e tyre do t’i pranojë deri më 28 mars, para se bordi i saj të marrë vendim përfundimtar për shtrenjtimin e rrymës.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.
Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Në fillim të marsit, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, paralajmëroi për Radion Evropa e Lirë se rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte e pashmangshme.
Në intervistën për REL-in, ai tha se për të zvogëluar sasinë e importit, Kosova duhet të rrisë prodhimin vendor, sidomos përmes energjisë alternative.
Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.6 milion banorëve të saj me rrymë, andaj edhe importon nga bursat e huaja.
Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e tij, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë./ REL
Top Channel