
Galeria Kombëtare e Greqisë ka publikuar pasditen e së enjtes momentin e vandalizmit të veprave të artit prej deputetit Nikos Papadopoulos të partisë së ekstremit të djathtë Niki.
Është pikërisht momenti kur deputeti në fjalë ndodhet në ambientet e ekspozitës në Galerinë Kombëtare dhe fillon të vandalizojë veprat e artit.
Së bashku me një person tjetër, fillimisht hedhin në dysheme tre piktura, ndërsa në të njëjtën kohë dy punonjëse që ndodhen aty ju dalin përpara duke hapur krahët dhe përpiqen t’i ndalojnë.Por zoti Papadhopoulos vazhdon aktin e tij duke hedhur në dysheme një pikturë tjetër nga ekspozita.
Ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë dhe ka shkaktuar edhe mbylljen e Galerisë. Policia greke e ka arrestuar për disa orë deputetin i cili është anëtar i partisë së vogël ultra-fetare me 10 vende në parlament ,që ofron një përzierje të tradicionalizmit të krishterë ortodoks dhe nacionalizmit.
Punimet ishin pjesë e një ekspozite të artistëve grekë, e hapur që në janar dhe të titulluar “Joshja e të çuditshmit” që përfshinte karikatura të ikonave dhe temave fetare dhe që shoqëron një shfaqje paralele të 80 veprave të mjeshtrit spanjoll të fundit të shekullit të 18-të dhe fillimit të shekullit të 19-të, Francisco Goya.
Sipas deklaratave të reja të tij Papadhopoulos vazhdon të mbrojë atë që ka bërë duke i quajtur ato vepra arti mëkatare dhe “jashtëqitje djalli” dhe se ekspozita ishte blasfemuese kundër Virgjëreshës Mari dhe Krishtit .
Krijuesi i veprave në fjalë, Christoforos Katsadiotis, vendosi të lërë në dysheme veprat e dëmtuara si provë sulmi. Siç thuhet në një deklaratë të ekpsozuar aty kjo zgjedhje është një vendim i ndërgjegjshëm që kërkon të nxjerrë në pah dhunën si një simptomë sociale.
Kryetari i parlamentit pas ngjarjes në fjalë ka vendosur shkurtimin me 50% të dëmshpërblimit mujor të deputetit për vandalizmin e Galerisë Kombëtare dhe vendimin për sjellje antiparlamentare e kanë aprovuar gjithë deputetët e tjerë.
Top Channel