“Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”/ Rama: Transformim i jashtëzakonshëm! Na admirojnë për…

12/03/2025 17:23

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në eventin “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”.

Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se transformimi që ka pësuar Tirana është i jashtëzakonshëm.

Më tej ai tha se këtë transformim nuk e shohim vetëm ne, por edhe të tjerët të cilët na admirojnë se sa shumë kemi arritur të bëjmë kur dolëm nga errësira e thellë.

Është vërtetë një kënaqësi e veçantë që sot ne jemi mbledhur këtu për një tjetër moment simbolik dhe domethënës në historinë bashkohore të qytetit tonë, të kryeqytetit të Shqipërisë, një moment kur Tirana pagëzohet zyrtarisht si kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut për vitin 2025. Dhe desha ta nis duke iu referuar një shprehjeje të Eqerem Çabejit, i cili shkruan se: “Nëse do të njohësh një komb, ec në rrugicat e kryeqytetit të tij.”

Sot nuk është edhe aq e lehtë të ecësh në rrugicat e kryeqytetit tonë për arsye të një transformimi të jashtëzakonshëm që është transformimi më i madh që kryeqyteti ka njohur në historinë e tij, edhe pse në rastin e Tiranës krahasimi me origjinën dhe me të kaluarën është jo i vështirë për të treguar se sa larg dhe sa lart je ngjitur pasi ndryshe nga të tjera kryeqytete rreth nesh, Tirana është një kryeqytet shumë i ri dhe me një histori shumë herë më pak të pasur sesa historia e kryeqyteteve të tjera rreth nesh.

Megjithatë, sot ato rrugica dhe rrugët e Tiranës në tërësi, janë dëshmitare të një transformi të jashtëzakonshëm dhe nga ana tjetër edhe fakti që Tirana për të katërtin vit me radhë zgjidhet si një ndër kryeqytet ku diçka i mbetet ta mbajë në formën e një pishtari të ndezur; në vitin 2022 kryeqyteti europian i rinisë, në vitin 2023 kryeqyteti europian i sportit, në vitin 2024 kryeqyteti europian i turizmit dhe këtë vit kryeqytet mesdhetar i kulturës dhe dialogut do të thotë ekzaktësisht se këtë transformim nuk e shohim vetëm ne që duam ta shohim, sepse ka edhe nga ata që nuk duan ta shohin, por e shohin edhe të tjerët, të cilët na kanë parë se si kemi qenë, na shohin si jemi dhe gjithmonë e më shumë na respektojnë, por edhe na admirojnë për sa shumë kemi arritur të bëjmë, duke patur parasysh se, kur dolëm nga errësira e thellë e Koresë së Veriut në mes të Europës ishim shumë më mbrapa të gjithë atyre të tjerëve me të cilët sot përpiqemi të afrohemi dhe më pas edhe të krahasohemi.

Por, nga ana tjetër ky moment i Tiranës si kryeqytet Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut është edhe një moment që shkon përtej Tiranës si vlerësim për shoqërinë tonë, si vlerësim për historinë tonë, si vlerësim për kulturën dhe për mënyrën tonë të të bashkëjetuarit, ku harmonia fetare është në sytë e të gjithë dhe është aq domethënëse në kohën e sotme ku ka gjithmonë e më shumë mungesë harmonie për ta thënë me një fjalë, themi eufemizëm, saqë Papa Francesku e pagëzoi si vëllazëri fetare.

Për më tepër të qenit kryeqytet mesdhetar dhe ndërkohë të qenit qytet europian i kulturës dhe dialogut në Mesdhe na bën nder edhe për faktin se Mesdheu është 1 mijë gjëra bashkë, siç thotë Fernand Braudel: Jo një peizazh, por shumë peizazhe, jo një det, por shumë dete, jo një qytetërim por shumë qytetërime që janë të vendosur si dëng mbi njëri-tjetrin. Dhe fakti që ne e kemi përqafuar këtë diversitet duke e mëshiruar në mënyrën e të qenit, na bën edhe tërheqës dhe do të na bëjë gjithmonë e më shumë tërheqës dhe gjithmonë e më shumë do të na jap mundësinë që ne të jemi një urë e Mesdheut, të jemi një pikë referimi për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës së diversitetit edhe harmonisë, jo vetëm mes besimeve fetare, por edhe më shumë se kaq, shpresoj dhe uroj.

Dhe ky vit është një shans për ta forcuar më tej këtë mesazh dhe më vjen shumë mirë që së shpejti ne do të lançojmë një tjetër konkurs të madh ndërkombëtare të cilin e kemi konceptuar së bashku me presidentin e Emirateve të Bashkuara, sheikun Mohammed bin Zayed Al Nahyan që është konkursi për një park të madh të besimit. Parku i madh i besimit është në fakt një ide që është tanimë e kahershme, por i ka ardhur koha për ta realizuar dhe falë bashkëpunimit me presidentin dhe qeverinë e Emirateve të Bashkuara, ne do ta nisim me këtë konkurs, kemi përcaktuar edhe territorin, i cili do të jetë diku në periferi të kryeqytetit, një park i madh që do të jetë një hapësirë për të gjithë besimtarët ose jo besimtar dhe që do të referojë përmes natyrës, përmes luleve, përmes bimëve, përmes bimëve, përmes frutave ato që janë burimet e besimeve të ndryshme. Faktikisht do të jetë një park ku vizitorët do të gjejnë të gjitha bimët, lulet dhe dhe frutat apo perimet që përmendën në librat e shenjtë dhe aty do mund të shohin se sa shumë janë gjërat që tregojnë që në fund të ditës mund t’i vëmë Zotit emra të ndryshëm, mund të zgjedhim të besojmë ose të mos besojmë në një Zot të caktuar me një emër të caktuar, por jemi të gjithë fëmije të të njëjtit univers dhe të gjitha ato çka na ndajnë mes veti janë prodhimi ynë dhe nuk janë një zgjedhje apo aq më pak një ndëshkim që na vjen nga lart apo që na vjen nga natyra.

Përtej kësaj, sigurisht që plot gjëra të tjera kanë ndodhur dhe do vazhdojnë të ndodhin në Tiranë dhe në muajt e ardhshëm Tirana do ketë një numër të madh aktivitetesh, ekspozitash, koncertesh, festivalesh, ngjarjesh kulturore dhe artistike që do përpiqen të krijojnë mozaikun e qenies mesdhetare në funksion pikërisht të të qenit kryeqytete europian i kulturës dhe i dialogut në Mesdhe.
E gjitha kjo nuk ndodhi brenda një kohe të shkurtër por as në fakt nuk ka ndodhur brenda një kohe të gjatë. Sigurisht që më e mira është e gjitha përpara. Unë kam bindjen dhe besimin që Tirana ende nuk e ka zbuluar të gjithë potencialin e vet. Ajo që ne shohim sot është pa diskutim një pamje e transformuar, gati-gati e pabesueshme për ata që shkelin pas shumë vitesh.

Përpara disa kohësh më erdhi një mik bashkë me të shoqen, mik fëmijërie. Janë larguar për në Shtetet e Bashkuara shumë vite më parë, në vitet ’90 edhe u takova me ta dhe po më tregonin sesi e kishin pasur tejet të vështirë të orientoheshin në Tiranë dhe sesi ishte dukur sikur nuk kishin ardhur në Tiranë, por në një qytet nga ku fjalët e tyre: “sikur të kishte qene kështu nuk do kishin ikur kurrë”. Dhe kjo është një arsye shumë e fortë, jo për të qenë të kënaqur me këtë që kemi, por për të besuar tek ajo që duam të realizojmë dhe për të pasur bindjen e plotë që gjithçka duam të realizojmë ne kemi të gjitha mundësitë që ta bëjmë realitet.

Duke falënderuar ekipin e Bashkisë së Tiranës Anuelen në radhë të parë dhe të gjithë skuadrën drejtuese të Bashkisë, duke falënderuar të gjithë ata që janë marrë dhe do vazhdojnë të merren me organizimin e këtij kalendari kaq ambicioz të këtij viti, të Tiranës si kryeqytet mesdhetar i kulturës dhe i dialogut, duke ju falënderuar dhe juve për durimin thuajse heroik pa asnjë pipëtimë, ndërkohë që, nuk besoj se thashë ndonjë gjë, që nuk e kishit dëgjuar më përpara, uroj me gjithë zemër që më e mira të bëhet për të gjithë. Dhe ju siguroj të gjithëve që ne jemi këtu për të bërë vetëm më të mirën“, tha Rama.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta