
“Nga mëngjesi i sotëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës aplikojnë një tarifë prej 25% mbi importet e çelikut dhe aluminit. Na vjen thellësisht keq për këtë masë, sepse tarifat janë taksa, janë të këqija për bizneset e janë akoma edhe më të këqija për konsumatorët. Vendet e punës janë në rrezik. Çmimet do të rriten.
Në Europë dhe në SHBA. BE-ja nuk ka mundësi tjetër veçse të të veprojë për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset. Kundërmasat që ne po miratojmë sot janë të forta, por proporcionale”:
Me këtë mesazh në rrjetet sociale, shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi përgjigjen e ashpër të Brukselit ndaj lëvizjes së administratës Trump që po trazon të dy anët e Atlantikut. Kundërmasat e bllokut europian do të hyjnë në fuqi më 1 prill. “Teksa SHBA-ja po vendos tarifa në vlerën e 28 miliardë dollarëve, ne po përgjigjemi me kundërmasa në vlerë prej 26 miliardë eurosh apo saktësisht 28 miliardë dollarë”, ishte komenti i von der Leyen, e cila shtoi se pavarësisht kësaj, mbeten të hapur për negociata.
“Besojmë fuqishëm se në një botë të mbushur me pasiguri gjeopolitike dhe ekonomike, nuk është në interesin tonë të përbashkët që të rëndojmë ekonomitë tona me tarifa”, u shpreh ajo. Nga kundërmasat do të goditen produktet e çelikut dhe aluminit, por edhe ato tekstile, prodhimet e lëkurës, pajisjet shtëpiake, produktet të plastikës dhe drurit. Produktet bujqësore do të preken po ashtu, përfshirë shpendët, mishi i viçit, disa produkte deti, frutat e thata, vezët, sheqeri dhe perimet.
Nga whisky Bourbon e deri tek varkat, lista e produkteve amerikane të shënjestruara, e publikuar nga Komisioni Europian, mbërrin në 99 faqe. Edhe në 2018, gjatë mandatit të parë presidencial, Trump kishte vendosur tarifa ndaj aluminit dhe çelikut, por ato humbën efektin për shkak të përjashtimeve të bëra.
Top Channel