Të gjitha përveç njërit nga 20 qytetet më të ndotura të botës vitin e kaluar ndodhen në Azi, sipas një studimi të ri.

Shumica e këtyre qyteteve, 13,  janë në Indi, vendin me popullsinë më të madhe në botë, ku rritja e shpejtë ekonomike mbështetet kryesisht në përdorimin e qymyrit dhe ku qindra miliona njerëz jetojnë në qytete të mbushura me trafik dhe ndotje.

Katër qytete të tjera janë në Pakistanin fqinj, një është në Kinë dhe një tjetër në Kazakistan. Vetëm një qytet jashtë Azisë është në këtë listë: N’Djamena, kryeqyteti i Çadit në Afrikën Qendrore – i cili është emëruar si vendi me ndotjen më të keqe të ajrit.

Ndërkohë, qytetet me ndotjen më të keqe në Amerikën e Veriut ishin të gjitha në Kaliforni.

Raporti nga IQAir, një kompani zvicerane që monitoron cilësinë e ajrit global, shqyrtoi veçanërisht materien e grimcave të imëta, ose PM2.5, një nga ndotësit më të vegjël dhe më të dëmshëm. PM2.5 vjen nga burime si djegia e karburanteve fosile, stuhitë e pluhurit dhe zjarret e egra.

Grimcat shkaktojnë irritim dhe inflamacion dhe janë lidhur me probleme të frymëmarrjes dhe sëmundje kronike të veshkave. Ekspozimi mund të shkaktojë kancer, goditje në tru ose infarkte dhe është lidhur me një rrezik më të madh për depresion dhe ankth. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se nivelet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub.

Byrnihat, një qytet industrial në veri-lindje të Indisë, regjistroi një koncentrim PM2.5 prej 128.2 vitin e kaluar – më shumë se 25 herë standardi i OBSH-së.

Dymbëdhjetë qytete të tjera në listën e 20 më të ndoturave janë në Indi. Kryeqyteti i saj, Nju Delhi, u rendit si kryeqyteti më i ndotur në botë për të gjashtin vit radhazi, me një koncentrim PM2.5 prej 91.8. Raporti gjithashtu përfshiu gjashtë qytete satelitë – Faridabad, Loni, Delhi, Gurugram, Noida dhe Greater Noida – duke i renditur ato gjithashtu në listë.

Vetëm vitin e kaluar, një mbulesë e dendur tymi mbuloi Delhin, duke ndërprerë fluturimet, duke bllokuar pamjen e ndërtesave dhe duke i shtyrë autoritetet të shpallnin një “emergjencë mjekësore”. Megjithatë, përgjithësisht, India – vendi me popullsinë më të madhe në botë me 1.4 miliardë njerëz – ra nga vendi i tretë në të pestin në krahasim me vitin e kaluar, sipas raportit.

Por raporti thekson se ndotja e ajrit “mbetet një barrë e madhe shëndetësore… duke reduktuar shpresën e jetës me rreth 5.2 vjet”. Fqinjët e Indisë, Bangladeshi dhe Pakistani – të cilët kanë së bashku rreth 400 milionë banorë – ishin vendet e dyta dhe të treta më të ndotura në botë përsa i përket molekulave të PM2.5, sipas raportit.

Kina – që dikur mbante vendin e parë në renditjet globale të ajrit më të ndotur – ka shënuar një përmirësim të vogël, sipas raportit. Mesatarja vjetore kombëtare e PM2.5 në Kinë ka rënë nga 32.5 mikrogramë për metër kub në 31, me përmirësim të cilësisë së ajrit në qytetet e mëdha si Pekin, Shangai, Chengdu, Guangzhou dhe Shenzhen, tha raporti.

Kina është prodhuesi më i madh i dioksidit të karbonit në botë, por vitet e fundit ka zhvilluar një fushatë kundër ndotjes së ajrit, sidomos në qytetet që kanë nxitur rritjen e saj ekonomike, dhe ka shtuar ndjeshëm prodhimin e energjisë diellore dhe erë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta