
Përveç Shkodrës rast i bujshëm ishte zbulimi serave masive në Berat.
Një tjetër pikë e rëndësishme është fakti, se organizatorët e kësaj veprimtarie, që u gjetën në momentin kur policia hyri për të verifikuar situatën ishin thuajse të gjithë të armatosur.
Policia e Shtetit arriti të kapte në flagrancë 11 persona me akuzën e Prodhimit dhe Shitjes së Narkotikëve, ndërsa ndaj 5 persona është ngritur akuza e “armëmbajtjeve pa leje”. Mes grupit të të arrestuarve në radhët e organizatorëve janë dhe dy gra.
Në këtë procedim penal nuk kanë munguar as zonjat që punonin si punëtore, pasi Prokuroria e Beratit ka akuzuar 95 gra me veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”. Pra, punëtoret në këtë rast, ndryshe nga ngjarja e Shkodrës nuk janë akuzuar si persona të përfshirë në grup të strukturuar kriminal, por vetëm si persona që kanë pasur dijeni në lidhje me ngjarjen.
‘Rasti i Beratit, me të njëjtën linjë, Prokuroria e Beratit shpall moskompetencën me rreth 90 gra e disa burra të tjerë. Prokuroria Speciale nuk është ngritur për kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, merret me vepra të rënda penale siç janë korrupsioni i zyrtarëve të lartë dhe krimi i organizuar. Në këtë rast nuk kemi krim të organizuar, nuk kemi grup kriminal të mirëfilltë. Nuk e kuptoj se si Prokuroria e Posacme e ka marrë si të mirëqenë fabulën e rasteve të Shkodrës dhe e ka çuar për gjykim’ u shpreh avokati, Kujtim Ibraj
Në rastin e Beratit, Policia është marrë më shumë me organizatorët, ku ka arritur të zbërthejë grupin nëpërmjet komunikimeve që kanë pasur me njëri-tjetrin. Përvec bisedave në Whatsapp, ky grup ka komunikuar ndërmjet tyre dhe në Signal, tjetër aplikacion që konsiderohet më i sigurt për privatësinë e komunikimeve.
Nga biseda ndërmjet Sadedin Hasajt dhe Jurgen Ujkajt, kuptohet mjaft qartë se grupi punonte për të ruajtur serat dhe të shmangte çdo të papritur.
Shtetasi Jurgen Ujkaj bisedon në Signal me “Flaka Otr”, pseudonim i përdorur nga Sadedin Hasaj. Ujkaj e njofton Hasaj për ecurinë e serave, ndërsa ky i fundit i thotë se do të dërgojë persona të tjerë te serat, madje dhe me “hekura”, i referohet armatimeve, me qëllim ruajtjen e lëndës narkotike, pasi mund të na e marrin të tjerët.
Bisedat e shumta të transkriptuara vunë me shpatulla pas murit kultivuesit. Kryqëzimi I bisedave, vendndodhjes së personave dhe provave konkrete në vendngjarje konfirmoi angazhimin e tyre.
“Terezi e këna vu… 2 rrugë 300 arka… i musha unë… kur i qëndrojmë ne te koka punës shkon çdo gjë në rregull”.
Top Channel