“Përkushtim i palëkundur për Kosovën”/ Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mesazh nga Prishtina: Paqja afatgjatë arrihet përmes kompromiseve

11/03/2025 18:15

Paqja afatgjatë arrihet përmes kompromiseve, ishte mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.

Mark Rutte, të martën qëndroi në Kosovë, ku takoi presidenten, Vjosa Osmanin e tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë sjell siguri për gjithë rajonin.

“Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë. E kuptoj plotësisht që kjo kërkon vendime të vështira, por duhet të shohim pamje më të gjerë. Normalizimi sjell stabilitet më të madh”.

Sekretari i Aleancës Veri-Atlantike u zotua se përkushtimi për ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë mbetet i qëndrueshëm.

“Prania ime e sotme këtu tregon qartë përkushtimin e palëkundur të NATO-s për sigurinë afatgjate në Kosovë dhe për stabilitetin në gjithë rajonin. Sapo patëm një diskutim për situatën e sigurisë në Kosovë si dhe në rajon. NATO-ja ka mbështetur sigurinë në Ballkanin Perëndimor për tashmë 30 vjet dhe përkushtimi ynë mbetet edhe sot i udhëhequr nga KFOR-i.”

Në konferencën e përbashkët, Presidentja Osmani duke përmendur kërcënimet që vijnë nga Serbia, u shpreh se ka ardhur koha që Kosova të ketë vendin e saj në NATO.

“Synimi ynë strategjik për anëtarësimin në NATO nuk është thjesht një interes shtetëror i yni por edhe një domosdoshmëri strategjike për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe gjithë kontinentin evropian”.

Rutte të martën takoi edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin me të cilin biseduan për bashkëpunimin mes Kosovës dhe NATO-s, ku mes tjerash Kurti ka përmendur edhe ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte gjatë qëndrimit në Kosovë ka vizituar trupat e misionit të KFOR-it dhe ka takuar komandantin Enriko Barduani.

Krahas kësaj, ka takuar edhe ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav dhe shefat e misionit të EULEX-it dhe UNMIK-ut.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta