
Liderët europianë kanë reaguar pas lajmit nga Arabia Saudite se negociatat mes Ukrainës dhe SHBA-së kanë shkuar shumë mirë dhe se dy palët kanë arritur të formulojnë një plan për armëpushim 30-ditor mes Kievit dhe Moskës që do pasojë në paqe të përhershme mes dy kombeve.
Në një postim në X, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përshëndeti lajmin e pranimit të armëpushimit 30-ditor nga Ukraina të iniciuar nga SHBA.
Postimi i plotë:
“Ne mirëpresim lajmet e sotme nga Jeddah në lidhje me bisedimet SHBA-Ukrainë, duke përfshirë propozimin për një marrëveshje armëpushimi dhe rifillimin e shkëmbimit të inteligjencës dhe ndihmën e SHBA-së për sigurinë.
Ky është një zhvillim pozitiv që mund të jetë një hap drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën.
Topi tani është në fushën e Rusisë.
BE-ja është e gatshme të luajë rolin e saj të plotë, së bashku me partnerët e saj, në negociatat e ardhshme të paqes.”
Një ndër reagimet e para evropiane pas përfundimit të bisedimeve në Jeddah erdhi nga Donald Tusk.
Kryeministri polak në një postim në X shkroi:
“Duket se amerikanët dhe ukrainasit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt paqes. Evropa është e gatshme të ndihmojë në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Ndërkohë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer tha se ai e mirëpret “ngrohtësisht” marrëveshjen midis zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë pas bisedimeve në Arabinë Saudite.
Një deklaratë nga Starmer e postuar në X thotë:
“Unë mirëpres ngrohtësisht marrëveshjen sot në Jeddah dhe përgëzoj Presidentin Trump dhe Presidentin Zelenskyy për këtë përparim të jashtëzakonshëm.
Ky është një moment i rëndësishëm për paqen në Ukrainë dhe ne të gjithë tani duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të sigurt sa më shpejt të jetë e mundur.
Siç kanë thënë delegacionet amerikane dhe ukrainase, topi është tani në fushën ruse. Rusia duhet të pajtohet me një armëpushim dhe me një fund të luftimesh gjithashtu.
Unë do të mbledh liderët këtë të shtunë për të diskutuar hapat e ardhshëm. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë për t’i dhënë fund kësaj lufte në një mënyrë të drejtë dhe të përhershme që i mundëson Ukrainës të gëzojë lirinë e saj.”
Presidenti francez, Emmanuel Macron i është bashkuar liderëve të tjerë evropianë për të mirëpritur planin 30-ditor të armëpushimit të hartuar midis SHBA-së dhe Ukrainës në Arabinë Saudite duke postuar në X:
“Topi tani është në fushën e Rusisë. Franca dhe partnerët e saj mbeten të përkushtuar ndaj një paqeje solide dhe të qëndrueshme, e cila mbështetet nga garanci të forta sigurie për Ukrainën”
Top Channel