
Kievi pritet të paraqesë planin e tij të paqes në bisedimet që po zhvillohen në Rijad të Arabisë Saudite mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre ukrainas.
Propozimi ukrainas, sipas mediave të huaja, përfshin ndalimin e sulmeve me raketa me rreze të gjatë dhe një armëpushim që mbulon Detin e Zi.
Volodymyr Zelensky nuk merr pjesë përsonalisht në këtë takim, ku pala ukrainase po përfaqësohet nga shefi i tij i personelit Andriy Yermak, ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, ministri i mbrojtjes Rustem Umerov dhe komandanti Pavlo Palisa. Përballë kanë sekretarin ameriman të shtetit, Marco Rubio dhe këshilltarin për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, që drejtojnë delegacionin e Shteteve të Bashkuara mes përpjekjeve të patjetërsuara të tyre për një fund sa më të shpejtë të konfliktit.
Nga sa pohoi Yermak në rrjetin social “X” “takimi ka filluar në mënyrë shumë konstruktive”. Shpresat e Kievit janë për rezultate praktike, ndërsa Moska nga ana e saj pretendon se SHBA-ja po tenton të kuptojë më qartë pozicionin ukrainas, dhe sa të gatshëm janë ata vërtet për bisedime që do t’i japin fund luftës. Këtë qëndrim e pohon edhe Rubio.
Kryediplomati amerikan qe shprehur më herët se “gjatë takimit nuk do të diskutojnë çështje madhore, por do të kuptojnë se çfarë lëshimesh janë të gatshëm të bëjnë ukrainasit. “Nuk ka një zgjidhje ushtarake për luftën, Rusia dhe Ukraina duhet të jenë në gjendje “të marrin vendime të vështira”, ishte komenti i tij.
Presidenti Trump ka thënë se vazhdimi i mbështetjes ushtarake për Kievin varet nga marrëveshja për mineralet e rralla ukrainase. Megjithatë, Rubio sqaroi se arritja e kësaj ujdie nuk është qëllimi kryesor i bisedimeve që po mbahen sot dhe se për nënshkrimin e saj, ka ende mjaft detaje që duhen sqaruar dhe deri tek firma, do të duhet kohë.
Top Channel