
“Pa Starlink-un, linja e frontit të Kievit do të bjerë,” shkroi Elon Musk në platformën X duke ngjallur menjëherë frikën se administrate amerikane mund ta shtojë akoma edhe më shumë presionin mbi Kievin pas ngrirjes së ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të informacineve të inteligjencës.
Më pas, duke folur për tërheqjen e mundshme të SHBA-së nga NATO, miliarderi shtoi: “Ne vërtet që duhet ta bëjmë këtë.
Nuk ka kuptim që Amerika të paguajë për mbrojtjen e Europës”. Musku e pati një përgjigje edhe për ministrin e jashtëm polak Radosłaë Sikorski, i cili deklaroi se “nëse SpaceX dëshmohet të jetë një furnizues jo i besueshëm, ne do të detyrohemi të kërkojmë të tjerë”.
Polonia paguan 50 milionë dollarë në vit për t`i siguruar Ukrainës shërbimin e Starlinkut. “Pusho more burrë, i vogël”, iu përgjigj Elon Musk.
“Ju paguani vetëm një pjesë të vogël të kostos dhe nuk ka asgjë që mund të zëvendësojë Starlink”, shtoi ai. Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ndërhyri në sherrin në distancë, duke u përpjekur të zbusë gjakrat: “Askush nuk kërcënoi se do të ndërpresë Starlinkun në Ukrainë”, tha ai në përgjigjen ndaj Sikorskit.
“Dhe thuaj faleminderit sepse pa Starlinkun, Ukraina do ta kishte humbur luftën shumë kohë më parë dhe rusët tani do të ishin në kufirin me Poloninë”, shtoi shefi i diplomacisë amerikane.
Në fillim të luftës, Musku kishte dërguar mijëra terminale të shërbimit të tij të komunikimit satelitor të internetit në Ukrainë për të zëvendësuar sistemet e shkatërruara nga Rusia pas pushtimit.
Por më vonë, miliarderi ndryshoi qëndrimin në raport me këtë konflikt, dhe që nga vjeshta e vitit 2022, nisi ta kufizonte qasjen në sistemet e tij.
Top Channel