
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio lajmëroi sot se SHBA ka anuluar zyrtarisht 83% të programeve në USAID.
Sipas tij, ato që kanë mbetur do të administrohen nga Departamenti i Shtetit.
Rubio: Pas një shqyrtimi 6-javor, ne po anulojmë zyrtarisht 83% të programeve në USAID.
5200 kontratat që tani janë anuluar shpenzuan dhjetra miliarda dollarë në mënyra që nuk shërbyen (dhe në disa raste edhe dëmtonin) interesat kyçe kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Në konsultim me Kongresin, ne kemi për qëllim që 18% e mbetur të programeve që po mbajmë (afro 1000) të administrohen tani më efektivisht nën Departamentin e Shtetit.
Faleminderit DOGE dhe stafit tonë të palodhur që punoi shumë orë për të arritur këtë reformë të vonuar dhe historike.
After a 6 week review we are officially cancelling 83% of the programs at USAID.
The 5200 contracts that are now cancelled spent tens of billions of dollars in ways that did not serve, (and in some cases even harmed), the core national interests of the United States.
In…
— Marco Rubio (@marcorubio) March 10, 2025
Me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, Donald Tramp firmosi një urdhër për pezullimin e ndihmës së huaj nëpërmjet USAID në mbarë botën, duke argumentuar se paratë e taksapaguesve amerikanë po shpërdoroheshin ose mbështesin agjendën politike të Soros.
Urdhri, i cili hyri në fuqi më 27 janar, ndalonte aktivitetet e financuara nga SHBA-ja për tre muaj, derisa të përfundonte një proces vlerësimi “për t’u siguruar që ato janë efikase dhe në përputhje me politikën e jashtme të SHBA-së nën agjendën Amerika e Para”, thuhet në një deklaratë të USAID.
Kjo ka prekur menjëherë një sërë organizatash, përfshi edhe Shqipërinë.
Nga viti 2020 deri në fund të vitit 2024, Shtetet e Bashkuara kanë investuar 1.7 miliardë dollarë në ndihmë në Ballkanin Perëndimor, duke mbështetur organizata të shoqërisë civile dhe institucione shtetërore dhe projekte, duke filluar nga të drejtat e njeriut dhe media e deri tek efikasiteti energjetik.
Ambasada amerikane në Tiranë konfirmoi në fund të janarit ndërprerjen e fondeve për institucionet dhe organizatat shqiptare deri në një moment të dytë.
Në një letër dërguar Ministrisë së Jashtme shqiptare, ambasada amerikane tha se “dëshiron të informojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë për qëllimin e Urdhrit Ekzekutiv të SHBA-së për të ndërprerë zbatimin, detyrimet e reja dhe disbursimet e fondeve në pritje të rishikimit të të gjitha programeve të ndihmës së huaj. Partnerët e programit dhe zbatuesit e programeve të asistencës të financuara nga SHBA-ja në Shqipëri janë duke u njoftuar për këtë veprim.”
Në letër përmenden të paktën 30 institucione. Ato përfshijnë SPAK, gjykatat, zyrat e prokurorisë dhe ministritë e Mbrojtjes, Arsimit dhe Sportit dhe Financave.
Top Channel