
Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook ka njoftuar monumenti i Skënderbeut në Tiranë është mbuluar përkohësisht, pasi po merren përmasat për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij.
Rama i përgjigjet kritikëve dhe aludimeve për mbulimin e monumentit, të cilët e akuzojnë “për tradhti”.
“Qarkullon një kua-kua-kua këmbëngulëse në kënetën sociale për psenë e mbulimit të monumentit të Skënderbeut në Tiranë dhe formulohen mallkime për tradhëti kombëtare, bazuar në akuza për konspiracion kundër Atletit të Krishtit në Muajin e Madhërueshëm të Ramazanit.
Arsyeja është shumë e thjeshtë, po edhe e bukur në këtë rast. Monumenti është veshur me skeleri, sepse po i merren format për realizimin më pas të një kopjeje të tij, e cila do të vendoset në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Paris.
Po po, e lexuat mirë, pas një përpjekjeje diplomatike të gjatë e të suksesshme, pikërisht sepse sot Shqipëria dëgjohet me respekt, kemi arritur të marrim miratimin e autoriteteve franceze për të vendosur monumentin e Heroit tonë Kombëtar në një shesh të Parisit me emrin e tij.
Punë ditësh dhe skela do të hiqet, kështu që edhe atdhetarët zemërtrazuar që llokoçiten në kënetën e kua-kua-kuave do të mund të çmallen me kalin e Skënderbeut dhe do t’u duhet të gjejnë një tradhëti tjetër”, shkruan Rama.
Top Channel