
Gjykata e Lartë ka shtyrë shqyrtimin e rekursit të dorëzuar nga vëllai dhe bashkëshortja e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Arbër Veliaj dhe Ajola Xoxa, kundërshtojnë kontrollet e ushtruara nga SPAK në banesat dhe bizneset e tyre më 6 dhjetor të vitit 2024, ndonëse për to kishte një vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas Gjykatës së Lartë, shtyrja erdhi pasi një nga anëtarët e trupës gjykuese kërkoi të tërhiqej për shkak të papajtueshmërisë. Trupa përbëhej nga Ilir Panda si relator dhe Albana Boksi e Medi Boci si anëtarë, por Gjykata e Lartë nuk konfirmon se cili prej tyre është tërhequr dhe për çfarë është në papajtueshmëri me familjen Veliaj.
Ndërkohë pritet që edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të dalë më 11 mars para Gjykatës së Posaçme të Apelit për të kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi, ndërsa vendimi i parë u dha nga gjyqtari Erjon Bani. Veliaj ndodhet në paraburgim si pjesë e një hetimi të SPAK mbi akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Top Channel