La SHBA-në për Dobraçin! Historia e Derek Basler, antropolog amerikan që ka zgjedhur të jetojë në Shkodër

08/03/2025 14:28

Për shumë njerëz, Nju Jorku është një ëndërr, por antropologu amerikan Derek Basler ka ndërruar qytetin e tij të lindjes me lagjen Dobraç në Shkodër.

Derek Basler, antropolog: E di për reputacionin e keq të Dobraçit sepse shpesh e shoh në lajme per krimin, por është një lagje shumë e mirë. Të gjithë janë të sjellshëm dhe miqësorë me mua, prandaj ndihem si në shtëpi. E vizitova Shqipërinë për herë të parë para 8 vitesh. Erdha nga jugu në një tur dhe më pas në Alpet e veriut. Vizitova Thethin, Valbonën dhe më pas Currajt e Epërm në Nikaj-Mërtur.

Kam udhëtuar në shumë vende të botës, por ajo që më ndodhi aty nuk e kisha përjetuar kurrë. Po udhëtoja vetëm dhe, meqenëse aty nuk ka as valë telefoni dhe as energji elektrike, nuk kisha rezervim. Sapo mbërrita në fshat, më dolën përpara banorët dhe më strehuan në shtëpitë e tyre – një mikpritje që nuk e kisha parë kurrë, prandaj u dashurova me këtë vend.

Basler po përfundon studimet për doktoraturën në antropologji dhe si temë ka përzgjedhur pikërisht historinë, kulturën, traditat dhe zakonet e malësorëve shqiptarë, të cilat më pas do t’i publikojë si një libër.

Derek Basler, antropolog: Aktualisht po përfundoj studimet e mia në doktoraturë në Universitetin Europian të Vjenës, ku punoj pjesërisht. Po studioj jetën në këto zona të braktisura pas fillimeve të demokracisë, të cilat sot po ringjallen nga turizmi. Kam gjetje interesante nga jeta sociale në fshatra, zakonet dhe mikpritja, e cila është shumë autentike.

Tani është pjesa më interesante, sepse turizmi sjell të mira ekonomike, por mund të rrezikojë vlerat tradicionale. Megjithatë, mikpritja po qëndron e fortë ende. Kam mësuar shumë nga malësorët shqiptarë dhe nga jeta e tyre e vështirë mes maleve, sepse ata e shijojnë familjen, miqtë, natyrën – dhe këto janë gjërat më të rëndësishme në jetë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta