Kur mësimdhënia kthehet në mision/ Historia e mësueses në Librazhd që mundi kancerin duke mos braktisur punë

07/03/2025 12:12

Klodiana Kujtila prej 18 vitesh punon si mësuese.

Ajo u kthye nga emigrimi, së bashku me bashkëshortin, për të kontribuar në vendin e tyre në edukimin e brezave.

Por një vit më parë, edhe pse në moshë shumë të re, Klodiana do të kalonte, ndoshta, sfidën më të madhe të jetës së saj teksa u diagnostikua me kancerin e gjirit.

“Vjet në shkurt u diagnostikova me kancerin e gjirit. Ju e dini vetëm emri kancer është i tmerrshëm kur e dëgjon. Bota mu përmbys. Momenti më  vështirë ishte kur do hyja në operacion. Kisha frikë“, shprehet ajo.

Mësuesja 42 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, vendosi të kthehet në punë pas operacionit edhe pse mjeku këshilloi të kundërtën.

“Mjeku më këshilloi të qëndroja 6 muaj në shtëpi pas operacionit. Megjithatë unë u ktheva shumë shpejt. Në shtëpi ishte e pamundur. Puna më fëmijët ishte gjëja më e bukur. Unë e harroja sëmundjen. Dita kur jam kur jam rikthyer ishte dita më e bukur e imja, kur të gjithë fëmijët me prisnin dhe më përqafonin. Rikthimi më bëri shumë mirë. E kalova bashkë me fëmijët, harrova sëmundjen. Unë harrova që isha sëmurë”.

Klodiana Kujtila jep mësim në shkollën “Isuf Gjura” në fshatin Kuturman të Librazhdit. Për të mësuesia nuk është profesion.

“Të gjithë thonë profesion, por për mua nuk është profesion. Është mision i cili të ndihmon jo vetëm të zbulosh pasionet e fëmijëve, por ti udhëheqësh drejt të ardhmes. Pra është përtej profesionit”.

7 Marsi është vetëm një ditë dhe nuk mjafton për të nderuar sakrificën dhe vetësakrifikimin mësuesve në edukimin e brezave.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta