
Dy vëllezër dhe një tjetër bashkëpunëtor janë vënë në pranga pasi funksiononin si një grup i strukturuar kriminal për shitjen e kokainës.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Zona”, si rezultat i një hetimi gjashtëmujor, për goditjen e një grupi kriminal të implikuar në shitjen e dozave të Kokainës, në Divjakë. Identifikohen dhe vihen në pranga 3 shtetas, 2 vëllezër bashkorganizatorë të grupit dhe 1 pjesëtar i grupit. Shoqërohen mbi dyshime për pjesëmarrje në këtë grup, 10 shtetas të tjerë“, thuhet në njoftimin e policisë.
Tashmë janë sekuestruar dhjetëra doza Kokaine, 3 armë gjahu, 1 armë sportive, 1 armë e ftohtë, municion luftarak, 2 peshore elektronike dhe shuma parash në euro dhe lekë të përfituara nga shitja e dozave.
Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestuan shtetasit A. P., 30 vjeç dhe M. P., 32 vjeç, vëllezër;
-u ekzekutua urdhri i Prokurorit, për ndalimin e shtetasit O. L., 31 vjeç;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. Rr dhe S. B.;
-më parë, gjatë periudhës hetimore, është vënë në pranga shtetasi E. T..
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me të tjerë, të organizuar si grup me organizatorë shtetasit A. P. dhe M. P., shitnin doza të lëndës narkotike Kokainë, në Divjakë.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të gjetur përgjegjësinë penale të 10 personave të shoqëruar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Top Channel