
Qeveria sot mori vendimin për mbylljen e aplikacionit TikTok përkohësisht për një periudhë prej 12 muajsh.
Ministrja Ogerta Manastirliu tha se kanë nisur komunikimet me përfaqësuesit e platformës për marrjen e masave.
Ajo theksoi se kjo lidhet me filtrat e moshës apo kontrolli prindëror, për të shmanagur të gjitha ngjarjet e pakëndëshme të cilat lidhen me TikTok.
“Qeveria ka marrë vendimin për mbylljen e përkohshme të platformës online TikTok. Ne kemi zhvilluar një sërë takimesh konsultative me prindër, rreth 65 mijë prindër të pyetur në mbi 1300 takime për efektet që lidhen me sigurinë në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara, mund të sjellin në shëndetin psiko-emocional të fëmijëve. Në të gjitha këto takime, prindërit kanë qenë pro mbylljes ose kufizimit të platformës TikTok”, tha Manastirliu.
Me këtë vendim, Qeveria ka vendosur ndërprerjen e aksesit në TikTok në territorin e Shqipërisë për një periudhë 12-mujore, deri në momentin që kjo platformë të zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.
Autoritetet kompetente, në bashkëpunim me ofruesit e internetit dhe platformat teknologjike, do të marrin masat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi dhe vlerësimin e efektivitetit të tij në vazhdimësi.
“Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. Një mbyllje e përkohshme do të thotë që i kemi dhënë vetes 12 muaj kohë për të bërë të mundur që, në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës së TikTok, të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vendosur kushtet dhe kriteret e duhura në mënyrë që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë.
Do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e cila, me entet përkatëse, do të punojë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, që mund të jetë disa ditë ose një javë e pak, do të mundet që të realizojë këtë ndërprerje të aksesit në platformën TikTok”, deklaroi ministrja.
Rekomandimi për mbylljen e përkohëshme të kësaj platforme, është bërë nga një grup ndërinstitucional dhe u miratua sot me vendim qeverie.
Top Channel