
Kryeministri Edi Rama po bashkëbisedon me qytetarët në rubrikën ‘Sy m’sy” në rrjetet sociale. Kreu i qeverisë iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve për një projekt të ndërtimit të ujësjellësit që nisi në zonën e Tragjasit.
Rama: Mirëmëngjesi edhe po filloj direkt këtu me një përbetim, por që është vazhdë e një diskutimi serioz që kam zhvilluar edhe vetë me, nuk e di, 7,8,9 vetë nga zona e Tragjasit brenda apo jashtë Shqipërisë dhe këtu është Ilda Polo që më shkruan: ‘’mirëmëngjesi, të kam mbështetur, jo vetëm për idealet e mia që kur unë jam bërë anëtare partie, drejtoja të rinjtë në Vlorë ju loznit me top. Edhe pse jeni më i madh se unë, unë s’ta fal atë që do t’i bësh në Tragjas kur gjyshërit dhe babai im janë rritur, ku ai ujë që rrjedh ka histori prandaj më ke kundërshtare. Kundërshtare me gjithë socialistët e Tragjasit, kam menduar që arsyetimi, logjika ju ka mbajtur në pushtet, por kam gabuar. Unë kisha organizuar këtu ku jetojmë të votojmë për PS po do bëjmë të kundërtën, do abstenojmë”.
Tani ky është një diskutim që ka në thelb një pikëpyetje shumë të madhe për mua që si ka mundësi, që si ka mundësi që të bihet pre e një, nuk e di si ta quaj, një konfuzioni tw tillë po e quaj sepse jam i bindur që prapa kësaj ka burime helmi që kanë derdhur sasira të caktuara në mendjen e tragjasiotëve, por përtej këtyre, pyetja është shumë e thjeshtë, si është e mundur që të imagjinohet që një qeveri ciladoqoftë ajo qeveri me thënë të drejtën në këtë rast, të marrë ujë që i duhet disave për t’ia hedhur disave. Si mund të bëhet kjo dhe për çfarë arsye në botë? Tani këtu është futur brenda edhe kuçedra, domethënë oligarkët që po marrin ujin për qëllimet e tyre etj etj. Por nga ana tjetër, unë jam përpjekur ta shpjegoj, dhe ta rishpjegoj dhe ta ri-rishpjegoj me ata që kam folur që ky projekt bazohet në studim të mirëfilltë hidrologjik.
Janë bërë matje të vazhdueshme të prurjeve, janë bërë analiza të vazhdueshme për të arritur në konkluzionin se çfarë prurjes ka, sa prurje janë ato q i duhen mjedisit ekologjik, përfshirë edhe vaditjen e tokave; sa prurje janë ato që duhen për konsumim të lartë atje, flas për konsum për ujë të pijshëm; sa prurje ikin në det etj. Të gjithë këto aspekte teknike që i dinë shumë më mirë ekspertët, teknikët, hidrologët etj dhe mbi bazën e këtyre analizave dhe këtyre matjeve është bërë projekti. Është bërë projekti i cili, po e filloj nga A, synon që edhe vetë zona atje, banorët atje, shtëpitë atje të cilat furnizohen me pikatore sepse sistemi i ujësjellësit atje është një sistem i ndërtuar, nuk e di, në vitet 50 a 60 a, ku di unë se kur por që është komplet i amortizuar ndërkohë që një pjesë tjetër e banorëve kanë bërë investime marramendëse personale për të shkuar dhe për te marrë ujë nga puset.
Aty ndërkohë, ne, unë e shohim si një zonë me potencial të madh zhvillimi për turizmi, një potencial të madh të zhvillimit të atyre shtëpive dhe te atyre trojeve nga vetë banorët ku ka një numër të madh emigrantësh që mund të kthehen dhe të investojnë për agroturizëm etj, kështu që dhe kanalizimet që mungojnë janë pjesë e projektit. Pra, do bëhet ujësjellësi i ri i Tragjasit, do bëhen kanalizimet për Tragjasin dhe ndërkohë do të ndërtohet dhe ujësjellësi që do të furnizojë dhe zonën e poshtme. Tani, nuk dua të marr shumë kohë me detaje, që thashë janë teknike, por dua të shpjegoj që një projekt bëhet me patjetër profesionistë, pastaj ka dhe oponencë, prapë me profesionistë dhe bazohet në rastin e projekteve të ujësjellësve siç thashë, në matje, në analiza të cilat krijojnë idenë e plotë për mënyrën dhe sasinë e shfrytëzimit që të ruhen të gjitha balancat dhe ka një shifër që është shumë, shumë domethënëse. Atëherë, prurja minimale e matur dhe këtu kam gjithë këto letra po nuk dua t’i lodh, prurja minimale e matur dhe matjet janë bërë në periudha shtator, në periudha korrik, në periudha gusht dhe për më tepër janë matje të bëra në vite, 2021, 2022. Më përpara ka dhe matje të 2018 po duhen parë diferencat, kështu që prurjet minimale janë 700 litër në sekondë. Atëherë nga i gjithë shfrytëzimi në maksimum që do t’i bëhet këtij burimi, për shkak të ujësjellësit, është dy herë më i vogël sesa prurja minimale. Domethënë në të gjitha rastet ajo që mbetet e pashfrytëzuar nga sistemi i ujësjellësit është më se e mjaftueshme për të gjithë mjedisin ekologjik siç quhet, ndërkohë që përsa i përket ujit të pijshëm do të plotësohen nevojat për një masë të caktuar duke filluar nga vetë Tragjasi. Tani ça të them unë? Si ta shpjegoj unë që është çështje teknike? Kjo nuk është një gjë që e sheh me sy se më thoshin hajde shihe me sy, aty ka, aty s’ka. Nuk shikohet kjo gjë me sy. Kjo shikohet me instrumente shkencorë që bëjnë matjet dhe me analiza progresive në vite të matjeve për të kuptuar se çfarë investimi duhet bërë dhe se si ky investim impakton mjedisin, impakton njerëzit.
Të ishte një hidrocentral, do ta kuptoja të gjithë shqetësimin sepse rreziku i thithjes së burimeve ujore në masë që mund të kërcënonte gjithë nevojat për vaditje tokash në radhë të parë, se aty është problemi dhe është një problem qartësisht legjitim, atëherë do ta kuptoja që ka një problem. Po ujësjellës? Ujësjellës për të pirë ujë? Si mundet që një ujësjellës për të pirë ujë, të thajë dynjanë duke u shfrytëzuar për nevojat njerëzore të pirjes së ujit. Është e pamundur, është alogjike komplet e gjitha kjo. Është komplet alogjike dhe duke qenë se ka pasur një shqetësim dhe ky projekt është vonuar me muaj e me muaj të tërë për shkak të këtyre teorive, është kërkuar në mënyrë të përsëritur dy herë, konfirmimi nga ekspertët dhe është parë dhe nga ekspertë të tretë, pra jo nga ata që e kanë bërë projektin, jo ata që kanë punuar për projektin por të tretë, dhe të gjithë dakordësojnë në pikën që këtu s’ka asnjë kërcënim. Kjo është çmenduri, domethënë të jem unë personi që dashkam t’i marr ujin tragjasiotëve dhe t’ia jap himarjotëve, po them. Është komplet non sens. Ky është një burim, burimet janë të Republikës së Shqipërisë, nuk janë burime të një komuniteti dhe këto burime të Republikës së Shqipërisë vihen në dispozicion të njerëzve dhe të interesave të kësaj republike patjetër duke garantuar moscënimin e askujt që me ligj e me zakon, ka të drejtën të ketë akses në atë burim dhe patjetër që në këtë rast tragjasiotët kanë të drejtën me ligj e me zakon, të kenë aksesin për nevojat e tyre në burim dhe kjo as nuk mund të diskutohet dhe nuk kuptoj se çfarë diskutojmë dhe mbi c’bazë! Gjithsesi i kam kërkuar drejtorit të përgjithshëm i AKUM-it bashkë me specialistët dhe kryetarit të bashkisë të bëjnë një shpjegim shterues në një televizion në Vlorë sepse shpjegimet teknike nuk mund të bëhen me 200 veta që thonë : ne do vritemi dhe nuk do lëmë të bëhet projekti. Kështu nuk mund të bëhen dot shpjegime. Do bëjnë shpjegime teknike dhe pastaj do shfaqem edhe vet atje. Aty pastaj flasim por mbi bazën një herë të të marrit të shpjegimeve teknike se nuk mund të bëjmë inxhinierin të gjithë bashkë. Unë nuk jam inxhinier. Ilda këtu nuk është inxhiniere. Kështu që është e rëndësishme që të dëgjojmë dhe të besojmë ekspertet. Dhe e fundit fare për sa i përket policisë. Projektet nuk mund të bllokohen. Projektet, investimet nuk mund të bllokohen. Ka dhe kod penal për këtë punë dhe policia nuk është shfaqur aty se papritur e pa kujtuar u kujtua një fadromë të vijë, por se ka muaj të tërë që bëhet përpjekje për tu sqaruar dhe nuk arrihet dot të realizohet sqarimi. Tani si do bëhet kjo? Do merret peng me dhunë një projekt, një investim? Po ky është kulmi. Një investim që në radhë të parë i shërben vet zonës. Është habi e madhe. Megjithatë unë kam shumë besim që duke e dëgjuar mirë në radhë t parë ekspertet dhe duke besuar tek vullneti i mirë për transformimin e mëtejshëm të gjithë qarkut të Vlorës që është me provë kjo, do të realizojmë projektin dhe të gjithë do të jenë në fund të lehtësuar nga çdolloj frike dhe nga çdolloj konfuzioni. Kështu mendoj!
Top Channel