Plani i SPAK për zgjedhjet/ Mund të kallëzohen zyrtarët më të lartë të shtetit, dritare online për të denoncuar krimet

06/03/2025 19:40

Pyetjes “ Kush e ka radhën?”, i ka dhënë përgjigje vetë Prokuroria e Posaçme në faqen zyrtare.

Në faqen zyrtare spak.al, si prioritet ka vendosur hetimet ndaj krimeve zgjedhore. Duke publikuar në ikonën që tërheq vëmendjen “Denonco krimin zgjedhor”, SPAK i kushton shpjegime të qarta se si kryhet kallëzimi online dhe së bashku me ftesën drejtuar qytetarëve, ndodhen edhe udhëzimet konkrete.

Anila Hoxha raporton për Top Channel se ky hap i SPAK që e sheh qytetarin dhe subjektet juridike thënë ndryshe OJF si bashkëpunëtorë, hidhet dy muaj larg 11 majit, dita kur në Shqipëri mbahen votimet parlamentare.

Pasi klikon “Denonco krimin zgjedhor”, se pari duhen shkruar emri dhe mbiemri, numri i telefonit dhe qendra e banimit, të dhëna që nuk i mëson askush tjetër veç Prokurorisë së Posaçme.

Në vijim duhet të klikosh nëse po denoncon një grup kriminal apo organizatë të përfshirë në krim zgjedhor dhe jo vetëm.

Në këtë skedë përfshihet edhe kategoria e zyrtarëve më të lartë që mund të denoncohen nëse dispononi të dhëna, dyshime dhe indicie duke nisur sipas kompetencave që ka SPAK dhe konkretisht nga hierarkia më e lartë Presidenti i Republikës, kryetari i Parlamentit, kryeministri dhe ministrat, gjyqtarët, deputetët deri tek drejtues të institucioneve qendrore dhe të pavarura.

Po ashtu pranë kategorisë së zyrtarëve , gjendet edhe krimi që po denonconi ku përfshihet përpos korrupsionit edhe përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore. Gjithsej janë 16 vepra penale nëse i hasni para procesit elektoral e në vijim mund te bashkëngjisni si prova edhe  dokumente dhe fotografi.

Dhe nëse dispononi më tepër të dhëna për të ndarë me 20 prokurorët e posaçëm, përpos kësaj platforme të hapur enkas keni një tjetër mundësi, Prokuroria e Posaçme thotë shkruaj në email-in [email protected]. Kini parasysh se kjo ftesë vlen edhe për diasporën.

Linku për denoncimin e krimit zgjedhor

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta