Qeveria shqiptare ka marrë vendimin për mbylljen zyrtarisht të rrjetit social “TikTok” në të gjithë vendin, për 12 muaj.

Vendimi u njoftua këtë të enjte nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e cila theksoi se brenda një jave ose pak më shumë, Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën kineze.

Në VKM-në e publikuar këtë të enjte, theksohet se “ndërprerja e platformës on-line “TikTok” do të zgjasë deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta”.

Pas vendimit për mbylljen e platformës, reagoi dhe kryeministri Edi Rama, i cili njofton se së shpejti do të vijnë në Shqipëri përfaqësuesit e kompanisë kineze për të paraqitur masat për rritjen e sigurisë te fëmijët.

“Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve”, tha Rama.

Vendimi për mbylljen e “Tik Tok” u mor nga qeveria pas një konsultimi të gjerë publik në dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes me thikë të nxënësit 14-vjeçar Martin Cani nga një bashkëmoshatar. Pas konsultimit me prindër e mësues në mbarë vendin, ishte vetë kryeministri Edi Rama, që njoftoi në konferencën e fundit të 2024-ës, se mbi 90% e tyre janë për mbylljen e “Tik Tok”, pasi e shohin si të dëmshëm për fëmijët.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta