“Imagjinoni nga dritarja ime të jap urdhra vrasjeje”/ Rama për drejtësinë: Altin Dumani aty ishte, por shpatën ia dhamë ne jo Amerika

06/03/2025 09:05

Kryeministri Edi Rama përsëriti se ishte ai dhe Partia Socialiste që me reformën në drejtësi sollën një drejtësi të pavarur në Shqipëri ‘që godet majtas dhe djathtas’.

Nga bashkëbisedimi me qytetarët në rubrikën ‘Sy m’sy’, kryeministri u shpreh se ishte ai që ia dha ‘shpatën drejtësisë’ dhe jo Amerika. Rama u ndal edhe te tragjedia e 21 janarit.

Edi Rama: Lërja punës së zotit këtë orën kur na merr. Kur përmend Profetin, më dëgjo mua bëj shumë kujdes. Mos nxjerr profetin përpara për të nxjerrë mllefet e tua. Nëse ke helme për të nxjerrë dhe nëse ke mallkime për të bërë. Besoj se është e kotë të luftohet me gjithë këtë llum, por kush sulmon duhet të provojë atë që thotë. Sa i përket arrestimeve duhet ta dish ti dhe të gjithë, kjo ditë e arrestimeve, hetimeve të personave në pushtet politik, qofshin ministra a kryetar bashkie, nuk do vinte kurrë o ti miku im, pa mua dhe pa PS. Nuk do vinte kurrë se po të vinte do kishte ardhur nga 1912. Deri kur un dhe PS të gjithë bashku bëmë reformën në drejtësi, as ti as yt atë as stërgjyshi që kanë jetuar në këtë vend e u prehtë në paqe kush nuk jeton më, nuk kanë parë asnjë gjë të tillë siç po shohin sot. Pyetja është si ka mundësi që nuk u bë një hetim, si nuk u thirr një njeri në prokurori. Kështu pushkatime e varje në litar me gjykata nga regjimi përkatës ka pasur plot. Po flas për prokurorët e gjykatës të pavarur. Unë dhe skuadra ime vendosëm diçka që se ka bërë askush më parë. Vendosëm t’i dorëzojmë drejtësisë shpatën e ndëshkimit që ka qenë në duart e pushtetit politik duke goditur kë ka pasur oreks të godasë. Këtu ka ndodhur, imagjino të ndodhte sot që të mblidhej këtu posht dritares sime një popull i tërë dhe nga kjo zyrë të jepej urdhër për të qëlluar dhe të qëlloheshin më plumba dhe të vdisnin 4 vetë të pafajshëm, të parrezikshmë. Dhe prokurori, imagjino SPAK të lëshonte urdhra arresti për një numër personash përgjegjës për gjithë procesin dhe unë t’i jepja urdhër Drejtorit të Policisë, hec, nuk arrestohet askush. Me forcën e policisë të merrja në mbrojtje persona që i kërkon SPAK. Kjo ka ndodh në Shqipëri morë miku im jo para 100 vjetësh por shumë pak kohë më parë, para se unë të vija në këtë zyrë. Si shpjegohet kjo që tani duket e pamundur. Na ra nga qielli kjo? Apo e solli Amerika me aeropolan apo Europa me vapor. Këtë e bëri ky që sheh këtu dhe ata që e shkruan dhe e votuan me vullnet të plotë. Altin Dumanin për të cilin kam shumë respekt dhe ia kam shprehur solidaritetin kundër qendërisë që i turret, ka qenë aty prokuror i Republikës, por nuk kanë pasur fuqinë që kanë sot, se shpatën e ndëshkimit e mbante kush rrinte në këtë zyrë more zotëri dhe e përdorte për hesapet e veta.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama:

Mirëmëngjesi edhe po filloj direkt këtu me një përbetim, por që është vazhdë e një diskutimi serioz që kam zhvilluar edhe vetë me, nuk e di, 7,8,9 vetë nga zona e Tragjasit brenda apo jashtë Shqipërisë dhe këtu është Ilda Polo  që më shkruan: ‘’mirëmëngjesi, të kam mbështetur, jo vetëm për idealet e mia që kur unë jam bërë anëtare partie, drejtoja të rinjtë në Vlorë ju loznit me top. Edhe pse jeni më i madh se unë, unë s’ta fal atë që do t’i bësh në Tragjas kur gjyshërit dhe babai im janë rritur, ku ai ujë që rrjedh ka histori prandaj  më ke kundërshtare. Kundërshtare me gjithë socialistët e Tragjasit, kam menduar që arsyetimi, logjika ju ka mbajtur në pushtet, por kam gabuar. Unë kisha organizuar këtu ku jetojmë të votojmë për PS po do bëjmë të kundërtën, do abstenojmë”.

Tani ky është një diskutim që ka në thelb një pikëpyetje shumë të madhe për mua që si ka mundësi, që si ka mundësi që të bihet pre e një, nuk e di si ta quaj, një konfuzioni tw tillë po e quaj sepse jam i bindur që prapa kësaj ka burime helmi që kanë derdhur sasira të caktuara në mendjen e tragjasiotëve, por përtej këtyre, pyetja është shumë e thjeshtë, si është e mundur që të imagjinohet që një qeveri ciladoqoftë ajo qeveri me thënë të drejtën në këtë rast, të marrë ujë që i duhet disave për t’ia hedhur disave. Si mund të bëhet kjo dhe për çfarë arsye në botë? Tani këtu është futur brenda edhe kuçedra, domethënë oligarkët që po marrin ujin për qëllimet e tyre etj etj. Por nga ana tjetër, unë jam përpjekur ta shpjegoj, dhe ta rishpjegoj dhe ta ri-rishpjegoj me ata që kam folur që ky projekt bazohet në studim të mirëfilltë hidrologjik.

Janë bërë matje të vazhdueshme të prurjeve, janë bërë analiza të vazhdueshme për të arritur në konkluzionin se çfarë prurjes ka, sa prurje janë ato q i duhen mjedisit ekologjik, përfshirë edhe vaditjen e tokave; sa prurje janë ato që duhen për konsumim të lartë atje, flas për konsum për ujë të pijshëm; sa prurje ikin në det etj. Të gjithë këto aspekte teknike që i dinë shumë më mirë ekspertët, teknikët, hidrologët etj dhe mbi bazën e këtyre analizave dhe këtyre matjeve është bërë projekti. Është bërë projekti i cili, po e filloj nga A, synon që edhe vetë zona atje, banorët atje, shtëpitë atje të cilat furnizohen me pikatore sepse sistemi i ujësjellësit atje është një sistem i ndërtuar, nuk e di, në vitet 50 a 60 a, ku di unë se kur por që është komplet i amortizuar ndërkohë që një pjesë tjetër e banorëve kanë bërë investime marramendëse personale për të shkuar dhe për te marrë ujë nga puset.

Aty ndërkohë, ne, unë e shohim si një zonë me potencial të madh zhvillimi për turizmi, një potencial të madh të zhvillimit të atyre shtëpive dhe te atyre trojeve nga vetë banorët ku ka një numër të madh  emigrantësh që mund të kthehen dhe të investojnë për agroturizëm etj, kështu që dhe kanalizimet që mungojnë janë pjesë e projektit. Pra, do bëhet ujësjellësi i ri i Tragjasit, do bëhen kanalizimet për Tragjasin dhe ndërkohë do të ndërtohet dhe ujësjellësi që do të furnizojë dhe zonën e poshtme. Tani, nuk dua të marr shumë kohë me detaje, që thashë janë teknike, por dua të shpjegoj që një projekt bëhet me patjetër profesionistë, pastaj ka dhe oponencë, prapë me profesionistë dhe bazohet në rastin e projekteve të ujësjellësve siç thashë, në matje, në analiza të cilat krijojnë idenë e plotë për mënyrën dhe sasinë e shfrytëzimit që të ruhen të gjitha balancat dhe ka një shifër që është shumë, shumë domethënëse. Atëherë, prurja minimale e matur dhe këtu kam gjithë këto letra po nuk dua t’i lodh, prurja minimale e matur dhe matjet janë bërë në periudha shtator, në periudha korrik, në periudha gusht dhe për më tepër janë matje të bëra në vite, 2021, 2022. Më përpara ka dhe matje të 2018 po duhen parë diferencat, kështu që prurjet minimale janë 700 litër në sekondë. Atëherë nga i gjithë shfrytëzimi në maksimum që do t’i bëhet këtij burimi, për shkak të ujësjellësit, është dy herë më i vogël sesa prurja minimale. Domethënë në të gjitha rastet ajo që mbetet e pashfrytëzuar nga sistemi i ujësjellësit është më se e mjaftueshme për të gjithë mjedisin ekologjik siç quhet, ndërkohë që përsa i përket ujit të pijshëm do të plotësohen nevojat për një masë të caktuar duke filluar nga vetë Tragjasi. Tani ça të them unë? Si ta shpjegoj unë që është çështje teknike? Kjo nuk është një gjë që e sheh me sy se më thoshin hajde shihe me sy, aty ka, aty s’ka. Nuk shikohet kjo gjë me sy. Kjo shikohet me instrumente shkencorë që bëjnë matjet dhe me analiza progresive në vite të matjeve për të kuptuar se çfarë investimi duhet bërë dhe se si ky investim impakton mjedisin, impakton njerëzit.

Të ishte një hidrocentral, do ta kuptoja të gjithë shqetësimin sepse rreziku i thithjes së burimeve ujore në masë që mund të kërcënonte gjithë nevojat për vaditje tokash në radhë të parë, se aty është problemi dhe është një problem qartësisht legjitim, atëherë do ta kuptoja që ka një problem. Po ujësjellës? Ujësjellës për të pirë ujë? Si mundet që një ujësjellës për të pirë ujë, të thajë dynjanë duke u shfrytëzuar për nevojat njerëzore të pirjes së ujit. Është e pamundur, është alogjike komplet e gjitha kjo. Është komplet alogjike dhe duke qenë se ka pasur një shqetësim dhe ky projekt është vonuar me muaj e me muaj të tërë për shkak të këtyre teorive, është kërkuar në mënyrë të përsëritur dy herë, konfirmimi nga ekspertët dhe është parë dhe nga ekspertë të tretë, pra jo nga ata që e kanë bërë projektin, jo ata që kanë punuar për projektin por të tretë, dhe të gjithë dakordësojnë në pikën që këtu s’ka asnjë kërcënim. Kjo është çmenduri, domethënë të jem unë personi që dashkam t’i marr ujin tragjasiotëve dhe t’ia jap himarjotëve, po them. Është komplet non sens. Ky është një burim, burimet janë të Republikës së Shqipërisë, nuk janë burime të një komuniteti dhe këto burime të Republikës së Shqipërisë vihen në dispozicion të njerëzve dhe të interesave të kësaj republike patjetër duke garantuar moscënimin e askujt që me ligj e me zakon, ka të drejtën të ketë akses në atë burim dhe patjetër që në këtë rast tragjasiotët kanë të drejtën me ligj e me zakon, të kenë aksesin për nevojat e tyre në burim dhe kjo  as nuk mund të diskutohet dhe nuk kuptoj se çfarë diskutojmë dhe mbi c’bazë! Gjithsesi i kam kërkuar drejtorit të përgjithshëm i AKUM-it bashkë me specialistët dhe kryetarit të bashkisë të bëjnë një shpjegim shterues në një televizion në Vlorë sepse shpjegimet teknike nuk mund të bëhen me 200 veta që thonë : ne do vritemi dhe nuk do lëmë të bëhet projekti. Kështu nuk mund të bëhen dot shpjegime. Do bëjnë shpjegime teknike dhe pastaj do shfaqem edhe vet atje. Aty pastaj flasim por mbi bazën një herë të të marrit të shpjegimeve teknike se nuk mund të bëjmë inxhinierin të gjithë bashkë. Unë nuk jam inxhinier. Ilda këtu nuk është inxhiniere. Kështu që është e rëndësishme që të dëgjojmë dhe të besojmë ekspertet. Dhe e fundit fare për sa i përket policisë. Projektet nuk mund të bllokohen. Projektet, investimet nuk mund të bllokohen. Ka dhe kod penal për këtë punë dhe policia nuk është shfaqur aty se papritur e pa kujtuar u kujtua një fadromë të vijë, por se ka muaj të tërë që bëhet përpjekje për tu sqaruar dhe nuk arrihet dot të realizohet sqarimi. Tani si do bëhet kjo? Do merret peng me dhunë një projekt, një investim? Po ky është kulmi. Një investim që në radhë të parë i shërben vet zonës. Është habi e madhe. Megjithatë unë kam shumë besim që duke e dëgjuar mirë në radhë t parë ekspertet dhe duke besuar tek vullneti i mirë për transformimin e mëtejshëm të gjithë qarkut të Vlorës që është me provë kjo, do të realizojmë projektin dhe të gjithë do të jenë në fund të lehtësuar nga çdolloj frike dhe nga çdolloj konfuzioni. Kështu mendoj!

“Dil, dil në debat televiziv me bufin dhe të shohim si do ngelesh”, Gjolek Seriani.

O Gjolek!

-“Edhe pak se ditët po të afrohen o Edvin Ramovici. Kryeministër shteti je apo je një Tiktok-ist i këtij vendi që del live orë e minutë. Domethënë akoma se kemi të qartë pozicionin tënd personal si pushtetar. Mos ndoshta po i nuhat dhe ti vet ditët e fundit të qeverisjes tuaj dhe gjen këtë mënyrë për të shprehur mllefin tënd ndaj tmerrit që po vjen”! Astrit Spahiu.

Astrit, po qenke komplet i lagur mor burrë në kënetë, komplet i gjithi kokë e këmbë. Flet dhe gjuhën e salamandrave komplet.

Po si shpjegohet o burrë i dheut, për çfarë tmerri e ke fjalën, për çfarë ditësh të numëruara, për çfarë birucash se këtë e di, këtë Ramovicin, e kam dëgjuar këtë edhe s’më bën asnjë përshtypje të them të drejtën por më vjen shumë keq. Më vjen jashtëzakonisht keq për katandi e këtë nivel. Ndërkohë që thelbi këtu, besoj, është tek pyetja që jam kryeministër apo që jam Tik-tok-ist që dal live orë e minutë. Tani që të jem shumë të qartë, puna ime nuk është punë krahu, është punë mendje. Dhe një nga detyrat e mia është të komunikoj, të sqaroj, të dëgjoj dhe të reagoj. Dhe kjo për mua është puna, nuk është qejf, unë nuk jam tik-tokist. Unë jam një përfaqësues i zgjedhur dhe i atyre që nuk më kanë zgjedhur dhe iu detyrohem siç po bëj në rastin konkret edhe me ty i dashur Astrit edhe pse je shumë i helmuar, mendoj unë, gabimisht sepse në fund të ditës s’mund të jetë çdo gjë zi, edhe sikur të ketë shumë arsye për të qenë të pakënaqur. Por në fund fare unë kam detyrimin të komunikoj edhe me ty dhe të shpjegoj gjërat sipas këndvështrimit tim dhe në njëfarë mënyre të jap hesap. Kjo është arsyeja pse unë dal live. Dhe natyrisht patjetër që duke u afruar dita e zgjedhjeve kam vendosur të intensifikoj daljet, kam vendosur të intensifikoj komunikimin sepse procesi deri në zgjedhje është dhe një proces bilancash, është dhe një proces vendosjeje në tryezë të të gjitha gjerave që janë gatuar gjatë 4 viteve për të bërë dhe komentet përkatëse dhe për të përcaktuar nëse ka apo s’ka arsye për të vazhduar këtë punë, në këtë drejtim, me këto forca. Se tani është bërë dhe një koalicion i madh, shumë i madh

“Tallu i pamposhtur se dita të ka ardhur. Tallu kur gjen budallenj që të vijnë pas e kënaqen me atë gjellë të shpifur që i gatuan në ato kusi e tenxhere”, “Me ata që hëngrën bashkë me ty dhe sot janë bretkosa, bufa, llumra, plehra”.

Gjithsesi nuk besoj se ia vlen të hyjmë në debat për këto lloj sharjesh.

“Në qafë time nëse ke lexuar ndonjëherë Bibël e Kuran”.

Unë nuk bëj garë me asnjeri, me çfarë kam lexuar apo me çfarë ke lexuar apo me çfarë kanë lexuar. Secili lexon për veten e tij edhe nga ana tjetër të siguroj që kam lexuar, kam lexuar që c’ke me atë punë sepse unë pasurinë e dijes së fesë e shikojnë si diçka që është përtej besimit ne kuptimin e drejtpërdrejtë, pra përtej asaj qe merr një besim të artë drejtpërdrejtë, qoftë mysliman qoftë ortodoks, qoftë katolik, qoftë çfarë do qoftë. Në tërësi pasuria e dijes fetare është kulturë dhe aty janë rrënjët e shumëçkaje. Kështu që për këtë arsye unë jo vetëm që kam shumë respekt për të gjitha fetë, por me timen përpiqem të marr sa mundem nga pasuria e asaj dijeje.

“Zoti kryeministër, jemi shqiptar dhe jo turko-arab”. Këto janë reagime të atyre postimeve me thënie nga profeti “Paqja e Zotit qoftë mbi të” apo me thënie nga Kurani. Ne shqiptarë jemi, patjetër shqiptar jemi. Rilindasit i lanë mënjanë fetë dhe u bashkuan për të bërë Shqipërinë. I lanë mënjanë në sensin që përtej besimeve u bashkuan. Me këtë jam dakord. Por një gjë po të them i dashur Gëzim. Nuk të vjen e keqja nga fjalët e librave të shenjtë. Përkundrazi, është pasuria e një dijeje shumë të thellë dhe më mirë një fjali nga ato libra, sesa mijëra fjalë nga këneta politike dhe mediatike, sepse qindra mijëra llafe  nga këneta politike dhe mediatike ju siguroj për këtë.

“Profeti Muhamed ndante ca të kishte me të tjetër, kurse ju ndani kënaqësinë e të pirit 33 mijë një shishe me verë. Para Zotit nuk gënjejmë dot dhe Zoti nuk kuptonte”.

Uh Altin Alla, po mirë more Altin tashti se tani një pyetje kam unë? Ku e di ti këtë përshembull? Meqë ti mesa shoh i referohesh Profetit edhe mesa kuptoj je një farë besimtari, sepse dikujt që të reagon dhe të thotë këtu s’po flitet për politikë, po adhurohet ai që të ka krijuar edhe ty, ti i përgjigjesh: – A të lejon Zoti të ofendosh të tjerët? Tani ty të lejon zoti yt të shpifësh, unë mendoj që jo. Dhe shpifja në librat e shenjtë është një mëkat shumë i rëndë. Tani ti do thuash që ti s’po shpif, kurse unë po të them që ti po shpif. Ti do thuash që këtë e ke dëgjuar, e ke dëgjuar nuk do të thotë asgjë. Provë ke parë ti, provë që thua? Se kjo është njësoj si të them unë për ty diçka, nuk e di tani se s’jam i talentuar për të shpifur, por një diçka që ti as nuk e ke imagjinuar, si do të ndjeheshe ti? Kështu që kush beson ose kush kujton se beson në Zot duhet të jetë i pari që të mos harrojë një fjalë që thotë libri i shenjtë i kristianëve “mos gjyko se do gjykohesh nga gjykimi yt” ndodh dhe kjo i dashur Altin. Që vazhdon prapë, që të qenka fiksuar kjo 33 mishja, shishja edhe vazhdon prapë po ndërkohë je gabim, ditën dhe natën, je gabim ditën dhe natën.

“Thonë që jeni diktator, a është e vërtetë”?

Po shih dhe shkruaj, shih dhe shkruaj se sa diktatorë jam. Mjafton të hapësh kanalet e natës dhe do shohësh sa diktator jam, do shohësh sa lloj speciesh janë duke u zhauritur e duke u zhugatur nëpër kanalet e natës, e duke thënë ç’nuk thonë për mua,  fjalë e vërtetë, për të kuptuar se sa diktator jam.

“Nëse do të kisha një lutje, e do e dija që do më pranohej, thotë Petrit Abdullah Mullahi, të më pranohej do lutesha që Allahu të të udhëzojë në rrugën e drejtë”.

Të falënderoj edhe unë shpresoj shumë që Allahu të më udhëzojë gjithmonë në rrugën e drejtë, përpiqem, por gjithsesi të qoftë e pranuar kjo lutje edhe e çmoj shumë.

“Profeti Muhamed, (paqja dhe mëshira e Zotit, qoftë mbi të dhe ata që ndjekin rrugën e tij!) na kanë mësuar se në krye të çdo populli vihen njerëzit me virtyte dhe të ndershëm. Ministrat dhe zyrtarët e bashkisë po të arrestohen si të korruptuar, ky muaj i ramazanit na pastroftë nga lakmia për pasuri në kurriz të popullit. Amin. Zoti iu marrtë të gjithëve politikan e ish politikan që nga 1945 e deri sot në gjirin e tij, një sahat e më parë”.

Tani e para punës njëherë kjo është punë e Zotit dhe lërja Zotit këtë punën e orës kur na merr mua, ty larg qoftë tjetrin, tjetrin. E dyta kur përmend Profetin më dëgjo mua, bëj shumë kujdes, bëj shumë shumë kujdes. Mos nxirr Profetin përpara për të nxjerrë pastaj inatet dhe mllefet e tua se është problem i madh shumë. Do hysh në një problem shumë të madh. Bëj shumë kujdes, më beso. Nëse ke helme për nxjerr dhe nëse ke mallkime për të bërë, ti nuk di gjë fare, fare, fare nga e vërteta ime. Nuk di gjë fare a kam unë lakmi, a s;kam unë lakmi, e a kam unë pasuri, a s’kam pasuri, se unë besoj që është e kotë, shumë e kotë të luftohet me gjithë këtë llum, dhe të përpiqesh të provosh të kundërtën, ndërkohë që kush të sulmon, do të provojë atë që thotë, por kjo është temë tjetër. Por ti nuk ke idenë fare më beso, nuk ke idenë farë të gjithë kësaj dhe futesh në një histori të ngatërruar shumë me vetën dhe me Allahun që e përmend duke e përmendur profetin.

Ndërkohë që,  përsa i përket arrestimeve duhet të dish ti dhe duhet ta dinë të gjithë që kjo ditë, dita e arrestimeve dhe dita e gjykimeve, dita e hetimeve të personave me pushtet politik, qofshin ministra, qofshin kryetar bashkie, qofshin ish, e qofshin çfarëdo qofshin nuk vinte kurrë o miku im pa mua dhe pa Partinë Socialiste, nuk vinte kurrë, se po të vinte do të kishte ardhur qysh nga 1912. Nga 1912 dhe deri kur unë dhe Partia Socialiste, të gjithë së bashku, skuadra jonë bëmë reformën në drejtësi, as ti, as yt atë, as gjyshi, as stërgjyshi që kanë jetuar në këtë vend dhe që u preftë në paqe, cilido prej tyre që nuk jeton më e qoftë i lumtur kushdo që jeton, nuk kanë parë as një gjë të tillë, siç po shohim sot, dhe pyetja është pse? Si ka mundësi që nga viti 1912 deri kur filloi puna e institucioneve që u krijuan nga reforma në drejtësi, nuk u bë një hetim, mor zotëri, një hetim. Nuk u thirr njeri nga një gjykatës, nga një prokuror i pavarur, nuk u çua një njeri me pushtet politik përpara një gjykatësi të pavarur, se kështu pushkatime dhe varje në litar me gjykata të komanduara nga regjimi përkatës, qoftë monarkik, qoftë komunist, ka pasur plot. Unë po flas për prokuror gjykatës të pavarur. Si shpjegohet kjo? Kjo shpjegohet sepse unë dhe skuadra ime vendosëm diçka që nuk ka bërë askush më parë. Vendosën t’i dorëzojmë drejtësisë shpatën e ndëshkimit. Shpata e ndëshkimit ka qenë historikisht në duart e pushtetit politik që e ka përdorur për të bërë edhe në thonjëza drejtësi, duke goditur kë ka pasur oreks të godasë dhe duke mbrojtur me shpatë, kë ka dashur të mbrojë, se këtu ka ndodhur. Imagjino të ndodhte sot, imagjino sikur të ndodhte sot që të mblidhej këtu poshtë dritares së time një popull i tërë dhe nga kjo zyrë të jepej urdhri për të qëlluar dhe të qëlloheshin me plumba të vërtetë, jo me plumba manovrash, po me plumba të vërtetë në mish njerëzit dhe të vdisnin, u prehshin në paqe, katër vetë totalisht të pafajshëm, totalisht të parrezikshëm dhe prokurori, SPAK-u në këtë rast, po s’ishte SPAK-u. Imagjinohet tani SPAK-u sot, të lëshonte urdhra arresti për një numër personash përgjegjës për gjithë procesin e administrimit të protestës dhe unë t’i jepja urdhër Drejtorit të Përgjithshëm të policisë që t’i thoshte, që t’i thoshte SPAK-ut, hec, nuk arrestohet askush. Pra, me forcën e policisë të merrja në mbrojtje personat që i kërkon SPAK-u.

E imagjinon dot ti këtë për shembull, të ndodhë sot? Po kjo ka ndodhur në Shqipëri o miku im, kjo ka ndodhur jo përpara 100 vjetësh, kjo ka ndodhur në Shqipëri shumë pak kohë më parë, përpara natyrisht sesa unë të vijë në këtë zyrë. Si shpjegohet kjo që tani duket kaq e panjohur, kush e bëri? Na ra nga nga qielli kjo apo e solli Amerika me aeroplan ose Europa me vapor? Këtë e bëri ky që sheh këtu bashkë me ata që shkruajtën reformën në drejtësi dhe ata që e votuan reformën në drejtësi me vullnet të plotë, jo ata që erdhën zvarrë për ta votuar, por ata që e votuan me vullnet të plotë.

Altin Dumani, për të cilin kam shumë respekt për hir të vërtetës dhe që ia kam shrehur publikisht solidaritetin kundër të gjithë qenërisë që i turret për ta vënë nën presion, ka qenë aty prokuror i Republikës së Shqipërisë edhe ata të tjerët që janë sot në SPAK aty kanë qenë, por nuk kanë pasur fuqinë që kanë sot sepse  shpatën e ndëshkimit e mbante kush rrinte në këtë zyrë dhe e përdorte për hesapet e pushtetit të vet, e mbante pushteti ekzekutiv shpatën e ndëshkimit, atë shpatën që ka zonja e drejtësisë, figura, ka shpatën në dorë, ka peshoren e drejtësisë dhe sytë të mbuluar për të qenë totalisht e paanshme. Unë i dorëzova shpatat për të bërë këtë që po bëjmë, patjetër, sepse kjo është e vetmja rrugë, nuk ka një rrugë tjetër.

Sigurisht që kjo ka koston e vet.

Po pse, kur bëmë ne reformën në drejtësi a ishim vetëm në pushtet? Si mendon ti, kur unë thosha “Duam një forcë të pavarur që të luftojë korrupsionin majtas e djathtas, të shohë vetëm drejt etj” kush ishte në pushtet, Stamo Dumo apo e bëra reformën në drejtësi për të ikur pastaj e për t’u marrë me piktura dhe të tjerët të shihnin e të bënin? Unë e dija cfarë po bëja dhe sot, po të them prapë, 100 herë të kthehem mbrapa 100 herë e bëj këtë gjë pavarësisht rezervave që mund të kem për një rast, për një rast tjetër, pavarësisht lajthitjeve që janë pjesë e një procesi rritjeje të disa institucioneve që janë të reja fare, 5-6 vjecc institucione, ndërkohë bota institucionet i ka me 200-300 e 500 vjet e 1000 vjet. Kështu që, mua mos më trego, të lutem, sepse meqë flet për muaj Ramazani dhe t’u pranoftë agjërimi, mos përdor profetin, mos përdor muajin e Ramazanit për të mallkuar e për t’i uruar vdekjen të tjerëve se futesh në problematika që unë personalisht nuk do doja të hyje dhe duke qenë bessimtar ti duhet ta kuptosh edhe më mirë këtë që po të them, dakord?

“A ja vlen të votoj pa e ditur nëse vota ime do të shkojë atje ku duhet?”

Nuk e di cfartë do të thotë “Pa e ditur nëse vota ime do të shkojë atje ku duhet” sepse shkon atje ku duhet, shkon atje ku e ccon dhe këto përrallat me manipulime dhe me përmbysje të vullnetit popullor nga dida dada da janë përrallat e humbësave, e humbësave kronikë; kanë humbur dhe do të vazhdojnë të humbin edhe për këtë arsye që nuk duan të përballen me realitetin e humbësit.

Kur ndodh që ti humbet një palë zgjedhje dhe më ka ndodhur mua në 2009 edhe pse me një përqindje më pak se 1%, edhe pse zgjedhje me shumë llum brenda, por gjithsesi në fund të ditës i humbëm zgjedhjet, nuk i fituam më saktë dhe nxorrëm mësime, nxorrëm mësime. Fituam zgjedhjet në 2011 në Tiranë me 10 vota, na i morën, nxorrëm mësime. Nxorrëm mësime dhe ndërtuam makineri fitoreje që është e pathyeshme.

Partia Socialiste është e pathyeshme, është e pamundur ta thyesh sepse ne punojmë përditë, është një makinë që punon përditë. Nuk flas për qeverinë, flas për Partinë Socialiste. Ju i keni parë, kush i ka parë, kush ka pasur mendje t’i ndjeki, ne pas zgjedhjeve fillojmë menjëherë punën për zgjedhjet e tjera. Ti do votosh aty ku do dëshirosh të votosh. Nëse je jashtë shtetit me postë, nëse je brenda këtu dhe do votosh për kë do, por unë di të them një gjë ama.

Për herë të parë, qysh se ne kemi hyrë në procesin e materializimit të asaj ëndrrës së madhe që u shpreh në atë thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” për herë të parë na ndodh që të kemi një përputhje të të dyjave, të rrethanave tona të brendshme dhe të kësaj ëndrre me rrethanat e brendshme të Europës dhe me vullnetin e tyre për të na marrë brenda. Kur Europa ishte më e hapur ndaj zgjerimit, ne nuk ishim kërrkund. Kur ne filluam të bëhemi më të pranueshëm, ata humbën dëshirën për zgjerimin dhe në këtë moment janë përputhur gjërat dhe si janë përputhur? Janë përputhur, po të jap një shembull të thjeshtë, ne u ulëm në tryezë dhe filluam të negociojmë konkretisht pasi bëmë procesin screening vjet, vjet në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe na është dhënë dhe kemi rënë dakord për një kornizë që t’i mbylli negociatat në 2027 që i bie 2024-2027 i bie më pak se 3 vjet. Nuk i ka ndodhur asnjë vendi tjetër.

Kroacisë i janë dashur 7 vite që ka shkëlqyer në atë punë. Mali i Zi ka vite e vite që është në këtë proces dhe kjo pse? Sepse janë përputhur të dyjave; është përputhur rritja e besueshmërisë sonë, rritja respektit ndaj nesh falë punës që ne bëjmë e nevojën e tyre për të zgjeruar Bashkimin Europain dhe për të marrë dhe për të dhënë një sinjal shumë të fortë që po shkojmë drejt një riunifikimi të Europës.

Përsëri në mars ne do të hapim grup-kapituj të tjerë zyrtarisht të negociatave. Ky proces është një proces ku kemi 1000 persona që janë në punë, 1000 persona që merren me negociatat në të gjithë sektorët dhe nuk ka asnjë minutë për të humbur, jo më lëkundje, por asnjë minutë. Duhet të fokusohemi të gjithë tek ky proces, duhet t’i japim në 11 maj fuqi këtij procesi, duhet të mos ketë ndërprerje asnjë ditë sepse shpejtësia marramendëse e kësaj pune është e paparë si sfidë dhe imagjino të hyjmë ne në histori me Kujtim Gjuzin. E kuptoni tani se ku jemi apo jo? Kujtim Gjyzi është fryma, pamja dhe gjithë simbolika e Shqipërisë madhështore.

Ne nuk na duhet kjo, ne na duhet Shqipëria në Bashkimin Europian.

“Si mund ta quaj opozitën kënetë?

Po si ta quaj ndryshe? Është shumë interesant sepse kur unë bëj një shfrytëzim metaforik të gjuhës shqipe ka njerëz që skandalizohen, ndërkohë që kur  të tjerët bëjnë një shfrytëzim barbar të gjuhës shqipe, duke përdor fjalët më ekstreme, më brutale “Kriminel, hajdut, i këtillë, i atillë”, kusar, të gjitha, të gjitha. Kjo është normale. Ore, jeni në vete apo jo. kënetë! Po kënetë e çfarë kënete! Një lloj kënete që nuk i duhet dreqit, sepse këneta në vetvete ka ato të mirat e veta, edhe bufi vetë, ai i vërteti i kënetës, është ku e ku me këtë bufin tjetër, që është buf me dy këmbë e me dy duar.

Kjo është për të pasur të qartë një gjë, që alternativa ndaj nesh është këneta dhe po të kthehemi mbrapsht, ne Shqipërinë e kemi gjetur në kënetë. Kjo është e vërteta. Gjithë ato borxhe, vetëm fakti që 50% e popullit paguante dhe për 50% tjetër që ose e vidhte, ose nuk e paguante energjinë elektrike. Borxhet në sistem. Gjeneratorët nga të katërta anët në mes të Tiranës, pasdite të shpoheshin hundët nga djegia e motorëve dhe nga zhurma e gjeneratorëve. Çfarë ishte ajo? S’ ishte kënetë? Kënetë e çfarë kënete. Dhe kur shoh sot se ku jemi, kjo s’ka asnjë krahasim. Ne kemi dalë nga këneta. Pse s’ishte kënetë ku gjithë turizmi bazohej vetëm te motivimi patriotik i vëllezërve dhe motrave në Kosovë, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe emigrantëve që ktheheshin, dhe që sot kthehen shumë e shumë e shumë më tepër. Çfarë ishte?! Nuk ishte kënetë ajo? Nuk ishte kënetë me 18 universitete që jepnin diploma pa shkuar fare njeriu në universitet?! Çfarë ishte ajo?! Nuk ishte kënetë me gjithë atë lukuni ndërtimesh pa leje në tw gjithë bregdetin. Çfarë ishte? Kënetë ishte! Dhe kënetë është. Kënetë është. Më thuaj moj zonjë, më thuaj. Më trego një gjë. Më thuaj, këtë e morën nga kënetë, e thanë dhe e bënë oaz. Jo e kundërta është e vërtetë. Edhe oazet që i kishte bërë Zoti për merak, i bënë këneta. Kjo është e vërteta. Çfarë të them unë i shkreti. Të them që s’janë. Çfarë të them?!

-Kujtoji pak fugonat që ndalonin…

Po çfarë t’i kujtoj, çfarë t’i kujtoj?! Nuk kam çfarë i kujtoj se këtu nga A në Zh është bërë një përmbysje shumë e madhe. Ja u thashë dhe një herë më parë në mos gabohem, se thonë ekonomia, ekonomia. Tani më fal, 4.8 miliardë kanë hyrë vjet nga turizmi dhe ku kanë vajtur, kanë vajtur në gjithë zinxhirin se turizmi konsiderohet eksport, për arsye se vijnë nga jashtë për të konsumuar këtu dhe ti shfrytëzon të jashtmit, për të fuqizuar të brendshmit. 117 mijë subjekte biznesi ka pasur kur ne morëm kënetën në dorësim. 250 mijë ka sot, pra më shumë se dyfish subjekte biznesi ka sot në Shqipëri. 57% e atyre që sot kanë një pagë në këtë vend, nuk paguajnë taksë mbi pagën. Atëherë, paguanin të gjithë 10%, edhe pastruesja e Kryeministrisë, paguante taksën mbi pagën saç paguante kryeministri.

Sot nuk ka fare krahasim. Pastruesja nuk paguan asnjë taksë mbi pagën, ndërkohë që mbi pagën time paguhet një taksë që është nga më të lartat. E kështu me radhë. Kështu me radhë. 36% të tjerë kanë një taksë mbi pagën 4-10%. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që duke ndryshuar atë sistem taksimi, ne i kemi lënë çdo vit në xhep qytetarëve 140 milion euro, që nuk ua kemi marrë si taksë mbi pagën dhe në 10 vjet, janë 1.4 miliard euro që s’i ka marrë shteti, i ka lënë në xhepin e qytetarëve.

Po aksesi në aviacion, se dhe kjo është shumë interesante. 6.7% e banorëve të Republikës së Shqipërisë kanë pasur akses në aviacion në vitin 2016. 32% janë sot, që flas për rezidentët që kanë marrë avionin. E pra, jemi komplet në një pozicion tjetër dhe këtë e tregon dhe fakti që kemi këtë pozicion në raport me Bashkimin Europian. Ky është një moment historik. Është një moment përtej Partisë Socialiste. Është një moment përtej gjithë interesave partiake, ose lërë pastaj tifozllikun absurd. Ishin tifozë shkodranët, dhe votonin kënetën pambarimisht. Momentin që vendosën të votojnë Partinë Socialiste dhe të votojnë kandidatin tonë, Shkodra doli nga këneta. Ky është fakti! Ky është fakti! Shkodra po merr frymë! Dhe kemi investime të tëra për të vazhduar për të bërë në Shkodër dhe do ta bëjmë Shkodrën një destinacion të jashtëzakonshëm, sepse është një vend i bekuar nga Zoti nga të katërta anët, po e mori peng këneta dhe tifozlliku. Në 11 maj, nuk ka tifozllik sepse duhet të fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe futja në Bashkimin Europian na jep 3 gjëra shumë, shumë të rëndësishme që ndryshe nuk i garantojmë për të nesërmen. Liritë individuale. Kush është jashtë Bashkimit Europian i ka gjithmonë të kërcënuara. Në Bashkimin Europian liritë individuale janë të garantuara. E dyta, barazia para ligjit. Shikoni si është situata. Sot, unë jam nesër s’jam. Dikush tjetër nesër vjen, nga një qeveri tjetër dhe thotë ta përmbysim komplet reformën në drejtësi. Ta mbyllim, t’i vëmë çelësin SPAK-ut, t’i vëmë çelësin gjithë institucioneve të reja dhe të kthehemi aty ku ishim. Kush e pengon ta bëjë?! Nëse jemi në Bashkimin Europian, gjithçka është e garantuar dhe nëse jemi në Bashkimin Europian barazia para ligjit, është në një nivel tjetër, edhe brenda, edhe jashtë, sepse ajo pasaporta që shkruan Republika e Shqipërisë, nuk është më vetëm Republika e Shqipërisë, por sipër do të shkruajë Bashkimi Europian, dhe secili dhe secila, qoftë shqiptar që jeton jashtë, qoftë shqiptar që është këtu, do të jetë komplet i barabartë para ligjit dhe para gjithçkaje që ka shoqëria e përbashkët e Bashkimit Europian. I barabartë! Do marrë sot makinë, do niset, do thotë po ndaloj filan vend. Në një farë mënyre, siç është Korça, nëse Shqipëria sot, po themi, është Pogradeci, atëherë, Italia do jetë Elbasani, Gjermania do jetë Tirana, në kuptimin e të jetuarit në një mjedis, në një hapësirë, pa kufij, jo thjesht pa viza. Pa kufij, jo thjesht pa viza, po pa kufij në çdo gjë. Në çdo gjë! Çdo gjë, çdo gjë! Dhe kjo bën që të mos ketë më kërcënime të natyrave që kemi pasur në vitet pararendëse, të mos ketë më kërcënime të lirive, mos ketë më kërcënime të të drejtave, mos ketë më dhe përkundrazi, të gjitha të shkojnë duke u përmirësuar, duke u përmirësuar, duke u përmirësuar.

Dhe e treta, janë standardet. Të gjitha standardet e bashkëjetesës janë të garantuara. Ana tjetër e medaljes, është që në momentin që ne hyjmë në Bashkimin Europian, në Bashkimin Europian ka një kategori shtetesh që janë përfituesit dhe një kategori që janë kontribuuesit.

Kontribuuesit janë ata më të fortët, ata më të zhvilluarit, më të pasurit që kontribuojnë në këtë familje për të forcuar ata që janë më të vegjël, që janë më të dobët dhe përfituesit, përveç buxhetit që kanë nga brenda, kanë dhe një buxhet ekstra nga jashtë, fondet e Bashkimit Evropian. Ju kujtohet kur ndodhi COVID-i dhe shkruanit nga Italia e nga Greqia, ça bëhet atje se shiko, ne na jep greku kështu e na jep italiani.

Nuk jep greku e italiani, jep bashkimi Evropian ekstra, para’ ekstra që ne s’i kishim se s’ishim në Bashkimin Evropian. Tani të gjitha këto janë në 11 maj tek vota dhe për sa kohë ne nuk jemi në BE, kijeni mirë parasysh këtë gjë, ka shumë rëndësi kush qeveris këtu, ka shumë rëndësi sa i besohet dhe sa respektohet ai që qeveris këtu. Këto lojërat ‘’jo po se shiko, se na duhet ‘’ , ça duhet? Nuk duhet asgjë, duhet vetëm fokus, fokus dhe brenda 2027 të mbyllim negociatat. Kjo duhet si fiksim, kjo duhet.

-Kujtim Gjuzin, Nard Ndokën….

Nuk ka rëndësi fare. Kujtim Gjuzi është ekselent, është më i miri nga ata. Është më i miri, më simpatiku, më evropiani nga ata dhe gjëja që dua ta bëj shumë, shumë të qartë se do ta bëj dhe vizualisht të qartë, më falni se këto vizualet i kam qejf unë, është që këtë ne ta vëmë në tryezën e BE. Këtë. Dhe Albania të rrijë aty njësoj si Italia, si Eladha, si të tërë atje dhe të mos lëvizë më. Ky është fiksimi. Të vendosim emrin tonë në tryezën e familjes evropiane një herë e përgjithmonë dhe jo vendoset atje ku na ftojnë dhe hiqet sa dalim ne dhe ata vazhdojnë bëjnë mbledhje pastaj për punë të tjera. Jo! Të jemi atje, të barabartë mes të barabartësh. Albania! Që do të thotë çdo shqiptar dhe shqiptare është i/e barabartë mes barabartësh dhe s’ka më mundësi ta shohë dikush nga lart –poshtë sepse është pjesë e së njëjtës familje. Ky është thelbi i gjithë përpjekjes sime dhe kjo është arsyeja pse unë i duroj heroikisht të gjithë llojet e poshtërsive dhe të gjithë llojet e maskarallëqeve, dhe të gjithë llojet e ligësive që më hidhen orë e çast mbi fytyrë dhe më keq akoma që i hidhen dhe familjes sime. Kjo është arsyeja. Tani ka dhe një gjë tjetër që dua të them, dua të them që është bërë problem shumë i madh që ti flet dhe pastaj e sheh që të citojnë mbrapsht.

Mbushur gjithandej ato burimet e infektuara mediatike nëpër rrjete sociale. Rama dy pika dhe pu-pu-pu, lloj-lloj çudish, dhe natyrisht njerëzit i lexojnë titujt dhe kujtojnë se ke thënë ashtu me të vërtetë. Megjithatë, kjo është dhe një arsye më shumë pse ky komunikim i drejtpërdrejtë bëhet që të lehtësojë ngarkesën që merret nga devijimi, deformimi, transformimi i gjërave që thuhen dhe një nga gjërat që unë thashë dhe do e përsëri prapë, është që është momenti i hakmarrjes më të ëmbël për ne nëse do duam të analizojmë si shqiptarë. Të marrësh hak në mënyrë të ëmbël, do të thotë që t’i japësh fund statusit të vendit, të popullit, të qytetarit të dorës së dytë në këtë Evropë dhe të bëhesh një vend, një popull, një qytetar i dorës së parë. Duke u bërë qytetar i BE. Pra gjithë ça na ndodhur në histori, ku jemi përçmuar dhe nëpërkëmbur sa nga të huajt sa nga vetja, unë them më shumë nga vetja sa nga të huajt, por kjo është temë tjetër, ta lëmë pas duke marrë hak për fëmijët tanë, të cilëve mund t’u japim jo pas 20 vjetësh apo pas 30 vjetësh, por mund t’u japim me një mandat BE-në. Një mandat, në 4 vjet. E kuptoni se çfarë na ka ardhur në dorë dhe e kuptoni sa tragjike do ishte ta humbnim këtë oportunitet, duke ngatërruar rrugën e duke u mbytur në një lugë ujë?

Ooo kush më doli. Gëzim Zilja. Koto Zilja e kam pasur një nga lojtarët e preferuar. Isha shumë i vogël kur shkoja në stadium, stadiumin “Flamurtari’’ ngjitur me shtëpinë e gjyshes sime, bënte stërvitje Flamurtari, Kotua ishte aty po Kotua në fushën e futbollit ishte yll, jashtë fushës së futbollit është komplet të keqen e ziles që bie e bie, po Kotua nuk mbush,..që mënyrë foshnjarake sulmi i opozitës tregon se jeni ende fëmijë i papjekur. Dhe është sikur opozita të nxjerr foto nudo …

Po opozita ma ka nxjerr mua foton nudo dhe nuk është ashtu fare, se ku ma gjen. Ku ma gjen të të nxjerrin foto nudo  dhe në fund të fundit, foto jotja është trupi yt dhe ça ka këtu? Ku është problemi, ndërkohë që dhe ma nxorën atëherë duke menduar që do më bënin keq. Kupton? Ma morën nga sendet personale, ma nxorën dhe pastaj e morën mbrapsht. Koto më dëgjon? Bashkë me ty se edhe ti bëje tifozllëk atëherë kur doli fotoja ime nudo. Unë në qejfin tim, në punën time në një plazh, plazh nudistësh në Francë në fillim të viteve ’90, njeri i lirë që s’kisha asnjë detyrim askujt, as të kërkoja votën e dikujt, as ia kisha borxh ndonjërit ma nxorën dhe atë javën e fundit të zgjedhjeve në bashki dhe atë jave boom, u rrit besimi, u rrit mbështetja. Kështu që s’është njësoj sikur opozita të nxjerr foto nudo. Ça foto nudo? Këneta, e di ç ‘është këneta, Koto? Këneta është tmerr edhe ti je brenda në kënetë i gjithi se të kam parë me kuriozitet se të ndjek nganjëherë për t’u argasur. Të kam parë, ti merresh me.. ti ke akoma nostalgji për sheshin e Flamurit me ato 4 kokrrat në mes të sheshit. Ti je akoma tek ajo e më tregoni mua Sheshin e Flamurit. Mua! Sa të mëdhenj. Po s’ka problem, s’ka problem se erdhi 11 maji dhe Vlora e di vetë se ça bën kështu që me Koto Zilen, Gëzim Zilja ishalla s’e ngatërroj se unë jam fiksuar te Kotoja po ndoshta është ndonjë Gëzim tjetër, po edhe po të jetë ndonjë Gëzim tjetër i kërkoj ndjesë se unë atë njoh. Koton, nuk njoh ndonjë Zile tjetër, një Zile ka Vlora.

Një Zile që bie e bie edhe jashtë fushës së futbollit është mos e pyet, po do kisha dëshirë ta takoja. Koto kam dëshirë të të takoj një herë , të pimë një kafe se të kam pasur shumë, shumë xhan kur ishe në fushën e futbollit. Isha i vogël unë, shumë i vogël. Ti duhet të kesh vajtur nja, sa ke vajtur tani se u bëra unë 60, kështu që ti, sa je ti? Ulemi ta pimë një kafe një herë t’i shoshisim ca gjëra se unë them që do merremi vesh bashkë .

Ladi Strati..

O Ladi, ke shkruar dhe ke shkruar dhe mesa di unë e ke marrë më në fund zgjidhjen për problemin tënd me kadastrën. E ke marrë zgjidhjen kështu që se shkruan dhe një mesazh për të thënë që e more, nuk do bëje keq se nuk më ke lënë gjë pa thënë se bëhen gjërat po duan pak durim.

Ju falënderoj shumë të gjithëve!

Të falënderosh politikanë, është të mos respektosh popullin- thotë Erion Cani.

Erion, politikanët janë njësoj si gjithë të tjerët, ka shoferë të mirë, ka shoferë të këqij; ka rrobaqepës të mirë, ka rrobaqepës të këqij; njësoj si gjithë të tjerët po vetëm ki parasysh një gjë, që pa politikën nuk shkohet askund. 0. Dhe kush thotë që nuk merret me politikë i fut një të rrejtme vetes, or ti, që ty nuk ta ha mendja sepse merret politika me ty gjithë kohës prandaj fokusohu edhe në 11 maj, nëse nuk të pëlqej unë, mbylli sytë dhe voto PS se duhet ta fusim Shqipërinë në BE përfundimisht dhe këtë gjë e bëj vetëm unë me Partinë Socialiste, nuk e bën dot askush tjetër, se të gjithë të tjerët që shihni, nuk ulet njeri t’i dëgjojë një herë si fillim jo më pastaj t’i respektojë si të barabartë. Ok? Shumë faleminderit të gjithëve, insta. Rrofshi, qofshi dhe u shtofshi!

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta