
FIFA do të shqyrtojë një propozim për të zgjeruar Kupën e Botës 2030 në 64 ekipe, një rregullim që do të thotë se më shumë se një e katërta e 211 shoqatave anëtare të saj do të marrin pjesë.
Ideja u ngrit në një takim të këshillit të FIFA-s të mërkurën. Sipas raportimit në New York Times, delegat ishte Ignacio Alonso, presidenti i Federatës së Futbollit të Uruguait. Uruguai do të jetë një nga tre vendet e Amerikës së Jugut që do të presë një ndeshje në vitin 2030, me rastin e 100-vjetorit të Kupës së Botës. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ra dakord të eksplorojë më tej idenë.
Një zëdhënës i FIFA-s i tha Guardian se kishte për detyrë të merrte në konsideratë të gjitha kërkesat nga anëtarët e këshillit: “Një propozim për të analizuar një Kupë Bote të FIFA-s me 64 ekipe për të festuar njëqindvjetorin e Kupës së Botës FIFA në 2030 u ngrit spontanisht nga një anëtar i këshillit të FIFA-s në një pikë që nuk ishte pjesë e rendit të ditës. Ideja u pranua pasi FIFA ka për detyrë të analizojë çdo propozim nga një prej anëtarëve të këshillit të saj.”
Infantino ka kërkuar vazhdimisht të zgjerojë ndikimin e Botërorit që kur u zgjodh president i FIFA-s në vitin 2016. Një propozim për të organizuar Kupën e Botës çdo dy vjet u braktis, por Kupa e Botës e vitit të ardhshëm në Meksikë, Kanada dhe SHBA do të sjellë një rritje nga 32 vende në 48.
Spanja, Portugalia dhe Maroku do të veprojnë si mikpritës të përbashkët në vitin 2030, me ndeshjet e 100-vjetorit në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai. Shtimi i 16 ekipeve të tjera do të krijonte sfida të konsiderueshme logjistike për organizatorët, me turneun që ndoshta do të zgjasë për të paktën gjashtë javë.
Politika e një Kupe Botërore të zgjeruar zbulon prioritetet e ndryshme të kombeve dhe konfederatave konkurruese. Në Amerikën e Jugut, një rritje e numrit të pjesëmarrësve mund të nënkuptojë në fakt fundin e raundeve kualifikuese, gjë që nga ana tjetër do të godiste burimet e shoqatave kombëtare që marrin të ardhura nga ato ndeshje.
Gjysma e 55 kombeve të UEFA-s pritet të kualifikohen, duke rritur shanset edhe të Shqipërisë.
Në Azi, Afrikë dhe Oqeani, një zgjerim i vendeve ndoshta do të pritej pozitivisht, me një numër vendesh që mund të bëjnë debutimin e tyre në Kupën e Botës.
Top Channel