Senati italian miratoi me 129 vota Marrëveshjen e Pensioneve me Shqipërinë, Balla ndjek votimin në sallë, ministri: Ditë historike!

05/03/2025 15:39

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, e quajti një ditë historike ratifikimin e Marrëveshjes së Pensioneve në Senatin Italian.

Ministri Balla, i cili ndodhej në sallë për të ndjekur diskutimet dhe votimin, deklaroi se kjo është një ditë historike e rëndësishme jo vetëm për 500 mijë bashkatdhetarët përfitues të kësaj marrëveshjeje, por është një ditë e rëndësishme edhe për familjarët e tyre kudo që ndodhen.

Senati e miratoi me 129 vota Marrëveshjen e Pensioneve Shqipëri-Itali, e cila më herët kishte kaluar edhe në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian.

Prania e Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla dhe ambasadores së Shqipërisë në Itali, Anila Bitri në sallë u përshëndet nga kryetarja e seancës dhe deputetët në sallë.

“Përshëndesim autoritetet shqiptare në sallë dhe raportin e fortë të miqësisë që ekziston mes popujve shqiptarë dhe italianë,” deklaruan senatorët në fjalën e tyre. “Italia dhe Shqipëria kanë kaluar momentet e këqija së bashku dhe shkojnë përpara drejt së ardhmes rrezatuese.”

“Këta punëtorë që punojnë ndoshta dhe punë që ne nuk i bëjmë duhet të kenë të drejta, jo të trajtohen si Seria B,” tha Tino Magni, Misto AVS.

Relatori Bruno Marton, i Movimento 5 Stelle, argumentoi votën pro duke i quajtur shqiptarët vëllezër.

Senatorët italianë vlerësuan edhe mundin dhe kontributin e shqiptarëve në Itali, integrimin në shoqëri që prej mbërritjes në brigjet e Barit. Ata vlerësuan rritjen e ekonomisë shqiptare që u mundësoi sipërmarrësve italianë të punojnë përtej Adriatikut.

“Marrëveshje të tilla janë të mirëpritura dhe vulosin miqësi të forta,” deklaroi Ivan Scalfarotto, i Italia Viva-Il Centro Renew Europe.

Përfaqësuesi nga Fratelli d’Italia përshëndeti ministrin Balla, prania e të cilit, tha sot, është një dëshmi e një serie kontaktesh direkte mes Italisë dhe Shqipërisë.

Marrëveshja për sigurimet shoqërore midis Shqipërisë dhe Italisë, e cila është nënshkruar më 6 shkurt 2024, pas 13 vitesh negociata, parashikon trajtim të barabartë për shqiptarët në Itali dhe italianët në Shqipëri, duke u mundësuar atyre përfitime nga pensionet, sigurimi i papunësisë, përfitimet për sëmundje dhe shtatzëni.

Marrëveshja, e cila hyn në fuqi pas ratifikimit nga të dyja vendet, do të zbatohet sipas një marrëveshjeje administrative specifike.

“Prej këtij momenti, pas firmosjes nga presidenti Mattarella, marrëveshja tanimë hyn në fuqi dhe do të fillojë menjëherë zbatimi i saj nga të dyja qeveritë, qeveria e Republikës së Italisë dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë. Kjo është një ditë e rëndësishme e finalizimit të një pune shumëvjeçare sa i përket materializimit të kësaj marrëveshjeje, ndaj dua t’ju dërgoj një përqafim të gjithë bashkatdhetarëve tanë këtu në Itali duke i falënderuar,” deklaroi Balla.

Koordinimi i sigurimeve garanton që personat të cilët kanë punuar në të dyja shtetet mund të bashkojnë periudhat e sigurimeve për të marrë pensione.

Negociatat nisën në 2010 dhe përfshinë takime të shumta ndërmjet qeverive të të dy vendeve, me vonesa për shkak të pandemisë.

Marrëveshja është një hap i madh në sigurimin e të drejtave sociale të shqiptarëve që jetojnë dhe kontribuojnë në Itali, si dhe të italianëve në Shqipëri.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta