Plani egjiptian për Gazën/ Vendet arabe rivalizojnë idenë e Trump, 53 miliardë dollarë për rindërtimin

05/03/2025 12:07

Një plan rindërtimi prej 53 miliardë dollarësh për të rivalizuar idenë e Presidentit Donald Trump që SHBA të “marrë Gazën” dhe të largojë më shumë se dy milionë palestinezë është miratuar nga liderët arabë në një samit urgjent në kryeqytetin egjiptian Kajro.

“Plani i Egjiptit është tani një plan arab”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe Ahmed Aboul Gheit në fund të këtij takimi disa orësh. Pa iu referuar konkretisht ideve të Presidentit Trump, ai nënvizoi se “qëndrimi arab është të refuzojë çdo zhvendosje, qoftë ajo vullnetare apo e detyruar”. Egjipti kishte prodhuar një plan të detajuar, me një dokument prej 91 faqesh, duke përfshirë imazhe të lagjeve te gjelbëruara dhe ndërtesave të mëdha publike, për të kundërshtuar një skemë të SHBA-së të etiketuar si “Riviera e Lindjes së Mesme” që tronditi botën arabe dhe më gjerë.

Banorët e Gazës përballen me zgjedhje të vështira ndërsa e ardhmja e tyre debatohet në skenën globale.

Ajo që e veçon këtë plan të ri është se nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin e pronës por edhe politika dhe të drejtat e palestinezëve.

Në fjalën e tij hyrëse, presidenti i Egjiptit Abdul Fattah al-Sisi bëri thirrje gjithashtu për një plan paralel krahas rindërtimit fizik për të ecur drejt asaj që njihet si zgjidhja e dy shteteve – një shtet palestinez përkrah Izraelit. Kjo shihet gjerësisht nga shtetet arabe dhe shumë të tjera, si e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për këtë konflikt të përhershëm, por është përjashtuar me vendosmëri nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij.

Ky plan i ri propozon që Gaza të drejtohet, përkohësisht, nga një “komitet i menaxhimit të Gazës nën ombrellën e qeverisë palestineze” i përbërë nga teknokratë të kualifikuar. Një konferencë e madhe ndërkombëtare do të mbahet muajin e ardhshëm për të mbledhur shumat e mëdha parash të nevojshme për këtë projekt rindërtimi. Shtetet e pasura të Gjirit duken të gatshëm të paguajnë një pjesë të faturave kolosale. Por askush nuk është gati të investojë nëse nuk është absolutisht i bindur se ndërtesat nuk do të shemben në një luftë tjetër.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta