
Presidenti francez Emmanuel Macron po shqyrton mundësinë e një vizite tjetër në SHBA për t’u takuar me presidentin amerikan Donald Trump, së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, citon Reuters një zëdhënës të qeverisë franceze.
Franca dhe Britania e Madhe kanë udhëhequr reagimin e Europës ndaj krizës diplomatike midis SHBA-së dhe Ukrainës pasi bisedimet midis Trump dhe Zelenskyy dështuan të premten e kaluar në një atmosferë tensioni.
Ndërkohë Rusia e sheh pozitivisht deklaratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbrëmë, ku ai shprehu gatishmërinë për të negociuar mbi luftën, tha Kremlini të mërkurën.
Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk është e qartë se si mund të realizohet kjo, pasi Ukraina ka një ndalim ligjor për negociatat me Rusinë, vuri në dukje Reuters.
Ai i referohej një dekreti të Zelenskyy-t në vitin 2022, i cili përjashtonte mundësinë e negociatave me presidentin Vladimir Putin.
Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko reagoi gjithashtu, duke ofruar të presë bisedimet Rusi-Ukrainë, të cilat mund të përfshijnë edhe zyrtarë amerikanë.
Bjellorusia më parë ka pritur bisedime midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas në 2014 dhe 2015, të ndërmjetësuara nga Franca dhe Gjermania, duke rezultuar në marrëveshjet e Minskut të viteve 2014 dhe 2015, të quajtura sipas kryeqytetit bjellorus.
Top Channel