Inside Story/ Shqipëria rekord për numrin e të burgosurve, Komiteti i Helsinkit: Gjykatat të bindura pas vullnetit të prokurorit

05/03/2025 21:54

Ndalimi i të dyshuarit për kryerjen e një vepre penale bëhet nga Policia e Shtetit, e cila është përgjegjëse për ndalimet arrestimet në flagrancë; mbajtjen deri në 72 orë në ambientet e dhomave të sigurisë të personave të dyshuar dhe transferimin e tyre më pas në IEVP.

Më pas hyn në lojë prokuroria që referuar provave të mbledhura nga policia, dhe prova të tjera që siguron duke ngritur akuzën. Pas këtij momenti dosja me të gjitha provat depozitohet në gjykatë që konfirmon ose jo masën e kërkuar nga prokurori. i gjithë ky sistem ka çaluar në gjykimin e ekspertëve të fushës.

“Ne shikojmë që preken gjithnjë e më shumë disa kategori të caktuara të shoqërisë që janë kategoritë vulnerabël për shkak të problematikave dhe varfërisë ata nuk kanë mundësi të marrin një avokat që ti përfaqësojë denjësisht. Kemi parë në vendimet e caktimit të masave të sigurimit që je pjesë e mirë e shtetasve që përfundojnë me avokat kryesisht, seancat për vlerësimin e ndalimit dhe caktimit të masave të sigurimit në gjykata janë formale, prokurori që argumenton nevojat e sigurimit e bën mbi provat që ka mbledhur policia gjyqësore, por s’ka verifikim, avokatët nuk janë njohur mjaftueshëm me këto prova dhe nuk paraqesin prova të tyre se si mund të zbuten dënimet”, u shpreh Erinda Skëndaj, Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Referuar ligjit, për veprat penale jo shumë të rrezikshme i gjithë ky proces duhet të mbyllet për një hark kohor brenda tre muajsh, dhe deri në 6 muaj në rastet e veprave që mbulon prokuroria e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK.

Megjithatë mijëra të paraburgosur çdo vit, qëndrojnë në burg në mënyrë të padrejtë, shpeshherë edhe në tejkalim të përcaktimeve ligjore.

“Kemi identifikuar një problematikë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, kemi pasur shumë ankesa dhe kemi bërë edhe rekomandime. Kemi pasur vendime të pazbardhura mbi 12 muaj. Pra kalon afati krejtësisht të palogjikshme, sepse gjyqtarët kanë ngarkesë të madhe”, u shpreh Erinda Ballanca, Avokati i Popullit.

Kjo politikë represive e drejtësisë penale ka prodhuar jo vetëm një numër marramendës të paraburgosurish, por Shqipëria thyen rekordin në Evropë si vendi me më shumë të burgosur për 100 mijë banorë.
Sipas Europris, një mekanizëm i Këshillit të Evropës që mbledh të dhëna për sistemin peritenciar në 49 vende të ndryshme, në vitin 2023 Shqipëria numëronte 178 të dënuar për 100 mijë banorë, nga 148 që kishte në vitin 2010.

Sa i përket fqinjëve tanë në rajon, Bosnja Hercegovina regjistron numrin më të ulët të dënuarve me vetëm 50 për 100 mijë banorë, ndërsa Mali i zi dhe Maqedonia numërojnë përkatësisht 168 dhe142 të burgosur për 100 mijë banorë.

Rekordin për numrin më të lartë të burgosurve e ka Turqia që numëron 408 të burgosur për 100 mijë banorë. Sipas këtij mekanizmi Shqipëria renditet ndër vendet që ka edhe numrin më të lartë të të paraburgosurve që ende nuk kanë marrë një dënim, një e dhënë që ka ardhur duke u përkeqësuar që nga viti 2010.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta