Jani Rustemi, 28 vjeç, u prangos më 13 prill 2023 pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete.

Pas 24 orësh izolim në qelitë e paraburgimit tek ‘Mine Peza’ në Tiranë, ai u ndje keq. Pavarësisht problemeve shëndetësore, i riu doli para gjykatës të nesërmen dhe ndaj tij u vendos masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Për shkak të mbipopullimit, ai nuk u transferua drejt burgut 313, por u rikthye përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.

Sipas njoftimit të policisë, më datë 17 prill ai shfaqi sërish probleme shëndetësore dhe u shtrua me urgjencë në QSUT. I riu ra në gjendje kome dhe ndërroi jetë thuajse një muaj më pas, më 20 maj. Pavarësisht se avokatët dhe familja e tij kanë nisur një betejë ligjore, edhe dy vite më pas është ende e paqartë se çfarë ndodhi me të riun.

Komiteti i Helsinkit që monitoroi rastin u shpreh asokohe, se 28-vjeçari i njohur si përdorues droge, një ditë pasi është futur në Bllokun e sigurisë është trajtuar me metadon, por në kartelën mjekësore të të riut, nuk rezulton të jetë kryer asnjë analizë mjekësore për gjendjen e tij dhe për vijimin e mjekimit edhe pse shfaqi komplikime. Pasi gjendja e tij u përkeqësua, ai është trajtuar me diazepam, por pa specifikuar dozën dhe pse u rekomandua ky mjekim.

Ngjarja ka ende shumë pikëpyetje duke shtuar paqartësitë tek familjarët. Ata ngrenë dyshime se i afërmi i tyre është neglizhuar nga të gjitha instancat, duke sjellë humbjen e jetës. Ai ishte izoluar në burg teksa kishte nevojë për mjekim. Pak ditë pasi gjendja e të birit u përkeqësua, e ëma ka bërë kallëzim për mostrajtim të denjë. Por, drejtësia nuk është bërë ende për të.

Për familjarët e vetmja gjë që do u sillte paqe është e vërteta. Pse i riu u izolua në qeli vetëm se vodhi një palë atlete dhe një tapet, teksa kishte nevojë për trajtim urgjent. Rasti duket i dyshimtë pasi edhe vetë kodi penal përcakton se për personat toksikomanë nuk mund të jepet masa e arrestit me burg, vetëm në rast se ata kanë kryer vepra shumë të rënda.

“Nëse dikush ka ndërruar jetë, është një alarm i madh për institucionin, shoqërinë civile, është shumë e rëndësishme të rregullojmë ligjin”, u shpreh Elsa Ballauri, aktiviste.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta