
Prokuroria e Durrësit ka dhënë informacione në lidhje me hetimet për anijen turke “Moliva” me 2100 ton mbetje të dyshuara toksike, e cila u ankorua në Portin e Durrësit në tetor të 2024, pasi qëndroi 11 ditë në det të hapur.
Kjo prokurori, sqaron se fillimisht, në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar 102 kontejnerë, të cilët janë transportuar në Shqipëri me anijen MOLIVA XA443A të mbërritur në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024.
Duke marrë parasysh dyshimet për rrezikshmërinë e substancave që përmban materiali që ndodhet në këta kontejnerë si dhe volumin i madh (102 kontejnerë) dhe kujdesin maksimal për respektimin e të gjitha praktikave më të mira ndërkombëtare gjatë procesit të marrjes së mostrave, transportimit, ruajtjes dhe analizimit të tyre, Prokuroria Durrës i është drejtuar zyrtarisht të gjitha ministrive që kanë në varësi ente, laboratorë dhe institucione që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë me qëllim realizimin e këtij proceseve komplekse.
Në mungesë të infrastrukturës dhe mjeteve të posaçme për kryerjen e gjithë zinxhirit të proceseve sipas praktikave ndërkombëtare, i jemi drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit me qëllim identifikimin e laboratorëve privatë që operojnë në Shqipëri që kanë ekspertizë në testimin e substancave të tjera të rrezikshme dhe që plotësojnë një sërë kriteresh të përgjithshme dhe specifike si:
– Të jenë të akredituar për matjen e metaleve të rënda, PAH-ve, Dioxina-ve dhe PCB-ve sipas normave ndërkombëtare;
– Të kenë mundësinë për krijimin e protokolleve të forta për ruajtjen e një zinxhiri të pandërprerë të kujdesit për të siguruar integritetin e mostrave (regjistrime të detajuara për çdo hap, nga marrja e mostrës deri te analiza);
– Të kenë ekspertë me eksperiencë në fushën e analizave kimike, të mbetjeve (skorieve të metaleve dhe hirit të termocentraleve; dhe
– Të ketë sisteme të menaxhimit të informacionit të laboratorit (LIMS) të validuara për menaxhimin e sigurt të të dhënave, gjurmueshmërinë dhe gjenerimin e raporteve.
Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave.
Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, Bazel Action Network dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një emaili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit.
Në respektim të dispozitave ligjit procedural penal, Z.Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës ka vijuar me intensitet dhe përparësi kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me këtë procedim penal dhe gjithashtu do të vijojë të informojë publikun në lidhje me këtë çështje që mbart interes të lartë publik’, sqarohet në njoftimin publik.
Top Channel