
Presidenti Trump foli sot për 1 orë e 40 minuta në Kongres lidhur me vizionin e tij mbi ekonominë, emigracionin dhe politikën e jashtme.
Trump tha se po punon “pa u lodhur” për t’i dhënë fund “konfliktit brutal” në Ukrainë.
“Miliona ukrainas dhe rusë janë vrarë ose plagosur pa nevojë në këtë konflikt të tmerrshëm dhe brutal që nuk ka fund,” thotë ai.
Ai pretendon se ka marrë një letër të “rëndësishme” nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy më herët gjatë ditës, ku thuhet se Kievi është “gati të ulet në tryezën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur.”
Sipas Trump, Zelenskyy i ka thënë se ekipi i tij është gati të punojë “nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump për të arritur një paqe të qëndrueshme.”
Trump shton se në letër Zelenskyy shkruan se ai “vërtet vlerëson sa shumë ka bërë Amerika për të ndihmuar Ukrainën të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e saj.”
“Ukraina është gati ta nënshkruajë atë në çdo moment që është i përshtatshëm për ju,” pretendon Trump se thuhet në letrën e Zelenskyy-t.
“Në një mënyrë apo në një tjetër, do ta marrim Grenlandën”
“Kam një mesazh sonte për njerëzit e pabesueshëm të Grenlandës: Ne mbështesim fuqishëm të drejtën tuaj për të përcaktuar të ardhmen tuaj.
“Dhe nëse zgjidhni, ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” thotë Trump.
Ai thekson se SHBA ka nevojë për Grenlandën “për sigurinë kombëtare dhe atë ndërkombëtare.”
“Mendoj se do ta marrim. Në një mënyrë apo në një tjetër, do ta marrim.”
Trump nuk tërhiqet nga tarifat, thotë se SHBA është shfrytëzuar për dekada
Në 24 orët e fundit, Trump ka vendosur tarifa të reja 25% mbi mallrat nga Kanadaja dhe Meksika dhe ka dyfishuar tarifat mbi produktet kineze në 20%.
Me këto vende që planifikojnë tarifa reciproke, SHBA po e gjen veten në fillimin e një lufte tregtare.
Në fjalimin e tij, Trump nuk tërhiqet.
Ai sulmon BE-në, Indinë, Meksikën dhe Brazilin, duke shtuar se “shumë kombe të tjera” kanë politika tregtare të padrejta ndaj amerikanëve.
“Kjo po ndodh si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë,” thotë ai, duke theksuar se më 2 prill “tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi.”
“Çfarëdo që ata të na taksojnë ne, ne do t’i taksojmë ata,” shpjegon ai, duke theksuar se SHBA ka vendosur historikisht tarifa më të ulëta sesa shumë nga partnerët e saj tregtarë.
“Do të marrim triliona dhe triliona dollarë dhe do të krijojmë vende pune si kurrë më parë,” thotë ai.
“Na kanë shfrytëzuar për dekada nga çdo vend në Tokë dhe nuk do ta lejojmë më këtë të ndodhë.”
Emigracioni
Trump thotë se ka bërë shumë për të adresuar atë që ai e quan një “emergjencë kombëtare” në kufirin SHBA-Meksikë.
“Unë dërgova ushtrinë amerikane dhe patrullën kufitare për të zmbrapsur pushtimin e vendit,” thotë ai, duke shtuar: “Kalimet e paligjshme muajin e kaluar ishin më të ulëtat e regjistruara – ndonjëherë.”
Që nga marrja e detyrës, Trump ka marrë një qëndrim të ashpër kundër imigracionit të paligjshëm, duke dërguar emigrantët e arrestuar me avionë ushtarakë përsëri në vendet e tyre të origjinës, dhe disa në Guantanamo Bay.
“Ata dëgjuan fjalët e mia dhe vendosën të mos vijnë,” thotë Trump, duke iu referuar kërcënimeve të tij të përsëritura për të arrestuar dhe dëbuar ata që hyjnë ilegalisht në SHBA.
Top Channel