“Është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin”, opozita greke mocion mosbesimi ndaj qeverisë Mitsotakis

05/03/2025 17:25

4 parti opozitare grek PASOK, SYRIZA, Lundrimi i Lirisë dhe e Majta e Re paraqitën pak më parë mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Mocioni u paraqit nga lideri socialist i PASOK-ut, Nikos Androulakis, që ka folur për një ¨monument¨ të paaftësisë kriminale nga ana e qeverisë në menaxhimin e tragjedisë së Tempit dhe për një “qeveri të zhytur në pavlefshmëri dhe korrupsion”.

Korrespondenti i Top Channel në Greqi Aleksandër Marku raporton se mocioni i mosbesimit që është firmosur nga 76 deputetë të katër partive si dhe nga disa deputetë të pavarur, gjithsej 85 ligjvënës, ka në qendër kritikë të ashpër për qeverinë, duke e konsideruar atë të papërshtatshme për të garantuar sigurinë e transportit.

Gjithashtu, thuhet se qeveria është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin, pasi u përpoq të mbulonte përgjegjësitë e saj për aksidentin me metoda që nuk përputhen me shtetin ligjor, transparencën dhe drejtësinë.

Procedura parlamentare për mocionin e mosbesimit fillon dy ditë pas paraqitjes së tij dhe që të miratohet, duhet të marrë shumicën absolute të të gjithë numrit të deputetëve (151nga 300), gjë që është praktikisht e pamundur për shkak të shumicës së fuqishme qeverisëse të Demokracisë së Re me 156 deputetë.

Më herët sot është zhvilluar në parlament debat i ashpër mes liderëve të partive në lidhje me aksidentin tragjik në luginën e Tempit ku nga përplasja e dy trenave humbën jetën 57 persona, ngjarje që partitë opozitare e konsiderojnë jo si aksident por si krim.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta