
Një prej njerëzve më besnikë të bosit lushnjarë të krimit Aldo Bare pas mbarimit të burgut në Shqipëri, mbërriti përmes Spanjës me një pasaportë të falsifikuar si azil-kërkues në Angli.
Anëtari i Bandës së Lushnjës, Maksim Çela ishte dënuar me 25 vite burg nga të gjitha shkallët e gjyqësorit në vendin tonë për një seri krimesh, përfshirë edhe vrasjen e oficerit të policisë Klenti Bano më 14 Prill 2000.
Gazeta The Sun të cilës i referohet Top Channel, ka ndjekur prej vitit 2023 mbërritjen e tij dhe i ka dedikuar sot një shkrim të gjatë se si një kriminel i kalibrit të Maksim Çelës, hyri në Angli në prill 2023 dhe aplikoi për azil.
Në të njëjtin vit The Sun ndoqi seancën gjyqësore kur Çela në një gjykatë emigracioni kishte kërkuar liri me kusht deri sa ti shqyrtohej kërkesa për azil.
Ai mbahej i mbyllur në një qendër ndalimi për emigrantët mbërritur ilegalisht në Angli.
Avokatët e Çelës i kërkuan gjykatës dhënie anonimati klientit të tyre pasi ai i frikësohej një hakmarrje të mundshme nëse i zbulohej vendndodhja aktuale.
The Sun, e respektoi vendimin e gjykatës duke publikuar një shkrim në prill 2023 pa detaje që do të çonin në identifikimin e Maksim Çelës, përfshi krimet për të cilat ishte dënuar në Shqipëri, si pjesë e njërës prej bandave më famëkeqe në historinë e kriminalitetit shqiptarë.
Por The Sun, zhvilloi një betejë 23 mujore në gjykatë, duke argumentuar se ishte në interes të publikut mësimi emrit të Maksim Çelës dhe krimeve të kryera në Shqipëri.
Tabloidi më i madh britanik e fitoi betejën në gjykatë duke i hequr anonimatin Maksim Çelës, dhënë në Prill 2023 nga gjykata emigracionit.
Ky zhvillim e ka vendosur Maksim Çelën në faqen e parë të gazetës The Sun online me Titull:
“Mostrës i çirret Maska, vrasësi dhe terroristi shqiptarë i lirë rrugëve të Mbretërisë së Bashkuar, beteja e The Sun për të hequr anonimatin”.
Top Channel