
Teksa zyrtarisht procesi i regjistrimit të Diasporës përfundon këtë të martë, më 4 mars, në Tiranë po kërkohet zgjatja e afatit me 2-3 ditë për ata të cilët kanë pasur parregullsi në regjistrime dhe duhet të riaplikojnë.
Kreu i Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj në një intervistë për Grida Duma në “Top Story” në Top Channel bën apelin e tij për regjistrimin e sa më shumë votuesve nga jashtë, pasi tashmë diaspora me të drejtën e votës është një faktor në politikën shqiptare.
“Në 2021 votimi i fundit që ka qenë, ka qenë 1.6 mln votues, po nuk del sa janë nga diaspora. Këtë herë diaspora do ketë peshën e saj, 15-20 për qind në bazë të votuesve. Diaspora është faktor njëherë e përgjithmonë në politikë e të ardhmen e Shqipërisë. Nuk është dëgjuar zëri më përpara sot ka për tu ndier, jemi baza e votuesve, jemi numër”, tha ai.
Z. Gjonaj thotë se në përpjekjet e tyre për votën e Diasporës kërkesa ka qenë për pjesëmarrje dhe se kurrë nuk janë interesuar për anën politike.
“Kërkesa jonë ka qenë gjithmonë e drejta e diasporës të marr pjesë në votime. Kurrë nuk jemi interesuar as për anën e politikës e as të kandidatëve. Unë nuk jam kandidat, kam luftuar për të drejtën e atyre që ligji ka lejuar, Kushtetuta e ka dhënë me të drejtë për të marrë pjesë në votime. Ne nuk kemi kandidat, as nuk jemi dhënë as ndaj ndonjë partie”, tha ai.
Kreu i KKD sqaron edhe numrin e saktë të shqiptarëve të SHBA-së dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë proces.
“Matjet janë 1 milionë shqiptarë në Amerikë, por duhet ta dini se janë prej gjithë trojeve, shqiptarë prej Shqipërie, prej Kosove, Malit të Zi, Maqedonisë, por shqiptarë janë. Mos të harrojmë se gjithmonë paraqitja ka qenë Shqipëri e vogël. Diaspora gjithnjë ka qenë numëruar tek 30-50 mijë, deri në 100 mijë. Në këtë moment që flasim janë regjistruar mbase 224 mijë prej diaspore që kanë marrë pjesë në votime, prej tyre 22 mijë janë prej Amerike”, vijon ai.
Megjithatë për Gjonajn ata që nuk janë regjistruar janë siç i quan ai “shqiptarë made in China”, që nuk e gjejnë përgjegjësinë atdhetare për të votuar.
“Ne mund ti themi shqiptarë made in china, që kanë vetëm emrin por jo me vepër, ata janë që thonë nuk duam të marrim pjesë në votime. Është detyra atdhetar, por nuk e ndjejnë obligimin sa të ndihemi atdhetar. E ka për detyrë të marrë pjesë me dëshirë, ta njohin këtë të drejtë që e ka. Brenda 24 orëve që kanë mbetur shumë njerëz do të regjistrohen dhe do të shohim rritje të votuesve që të marrin pjesë”, u shpreh z. Gjonaj.
Top Channel