
Sekretari i PL, Tedi Blushi ka mbërritur këtë të hënë në selinë e PD
Ndërsa sot skadon afati i dorëzimit të koalicioneve në KQZ, deri tani demokratët kanë bindur partinë e Ilir Metës të jenë në një listë të përbashkët, megjithëse ky i fundit i nisi negociatat me kushtin për të pasur 6-7 deputetë në listën e mbyllur.
Partia e Lirisë do të marrë katër deputetë në listë të sigurt, ku vetë Meta do të ketë emrin në Tiranë, Edmond Haxhinasto në Elbasan, Erisa Xhixho në Fier dhe Tedi Blushi në Korçë. Ndërkohë që disa kandidatë të PL-së do të jenë në listën e hapur.
Më të lehta duket se kanë qenë negociatat me Partinë Agrare të Agron Dukës, i cili do të marrë një deputet në listën e sigurt në Durrës dhe ajo që është konfirmuar është fakti që ai vetë nuk do të kandidojë.
Vangjel Dule do të marrë një vend të sigurt, për veten e tij, në listën e Vlorës, ndërsa Fatmir Mediu do të jetë sërish deputet nga lista e sigurt e PD-së në Tiranë.
Negociatat e demokratëve, përveç partive të vogla vazhdojnë edhe me PDIU-në e Shpëtim Idrizit, i cili ka kërkuar 2 deputetë në listë të sigurt, ndërkohë që demokratët janë të gatshëm t’i japin vetëm një.
Burimet nga Kuvendi tregojnë për vijimin e negociatave mes Shpëtim Idrizit dhe Sali Berishës.
Ky është një tregues tjetër e negociatave të ethshme të Shpëtim Idrizit, i cili me sa duket po tenton vendosjen e emrit të tij e të Melisa Dodës në një vend të sigurt në listë.
Top Channel