Partitë Djathtas 1912, me kryetar Rezart Kthupin, pjesë e të cilës është dhe Enkelejd Alibeaj, dhe LZHK, me kryetar Dashamir Shehin njoftuan sot zyrtarisht se do të shkojnë si koalicion për zgjedhjet e 11 Majit.

Ata kërkojnë të regjistrohen si “Djathtas për Zhvillim”, ndërsa shkronjat nistore të koalicionit të jenë DZh.

“Sot më datë 03.03.2025, Ne, një grup partish politike, duke besuar: Se Shqipëria është në një fazë kritike të zhvillimit të saj dhe pushteti publik ka deficit të legjitimitetit demokratik, dhe se në Parlamentin e dalë nga zgjidhjet e 11 majit 2025 qytetarët duhet të përfaqësohen realisht dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet;

Se Shqipëria ka nevojë për një demokraci funksionale, ku pushtetet të jenë realisht të ndara dhe të balancuara, ndaj ndryshimi i modelit politik, përtej rotacionit qeverisës, është një domosdoshmëri;
Se sistemi zgjedhor është i pabarabartë mes partive politike. Ai rrezikon të deformojë vullnetin e zgjedhësve dhe të prishë garën e hapur, duke krijuar rezultat të pandershëm në favor të partive të vjetra që kanë dominuar skenën politike prej dekadash dhe që janë bashkëautore të këtij sistemi zgjedhor;

Në rëndësinë historike që ka votimi për herë të parë i shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë shtetit dhe duke ndarë bindjen se diaspora duhet të përfaqësohet realisht në Parlament;

Se proçesi i integrimit evropian ka nevojë për një pakt efektiv me qytetarët shqiptarë dhe ndryshim të mendësisë politike, duke forcuar dialogun politik me njerëzit dhe për njerëzit;

Se vlerat themelore të secilës parti janë më të rëndësishme se sa ide të veçanta programore që na ndajnë dhe se koalicioni bazohet në respektin e ndërsjelltë për identitetin social, politik dhe programor të anëtarëve të tij”, thuhet në shkresën zyrtare.

Top Channel