
Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në aksin nacional “Peqin-Elbasa”, në fshatin Paulesh.
Për pasojë dy persona kanë humbur jetën ndërsa 5 të tjerë janë plagosur. Viktima nënë e bir Klodian Shahini, 33 vjeç dhe Fatbardha Shahini 55 vjeçe udhëtonin në mjetin tip “Benz” kur janë përplasur me një furgon pasagjerësh drejtuar nga shtetasi Anesti Bufi.
Ky i fundit dhe disa pasagjerë janë transportuar me autoambulancë në spitalin rajonal të Elbasanit për ndihmë mjekësore.
Për shkak të përplasjes shumë të fortë mjeti tip “Benz” është dëmtuar shumë dhe është dashur ndërhyrja e zjarrfikëseve për të prerë mjetin dhe për të nxjerrë viktimat nga makina.
Paraprakisht mendohet se shkak i aksidentit ka qenë lagështia në rrugë e cila ka ndikuar në paqëndrueshmërinë e mjeteve ne rrugë, por gjithashtu ekspertët shtojnë se mjetit gjithsesi kanë qenë duke lëvizur me shpejtësi.
Aksi Elbasan Peqin vijon të marrë çdo ditë jetë njerëzish e me gjithë shqetësimet e vazhdueshme të ngritura nga media dhe protestat e banorëve, asnjë masë nuk është marrë për të shtuar parametrat e sigurisë në këtë rrugë.
Top Channel