Udhëheqësit evropianë në pjesën më të madhe të kontinentit u zotuan të qëndrojnë përkrah Ukrainës pasi një takim në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Presidentit amerikan Donald Trump dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy u shndërrua në një shkëmbim të nxehtë të premten, gjatë të cilit Presidenti ukrainas Zelenskyy u akuzua për mungesë respekti.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas tha se është bërë e qartë se “bota e lirë ka nevojë për një udhëheqës të ri”.

“Ukraina është Europa! Ne qëndrojmë pranë Ukrainës”, shkruajti zonja Kallas në platformën e mediave sociale X.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha në rrjetin X se, “Ukraina mund të mbështetet tek Gjermania – dhe tek Evropa”, ndërsa Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shkruajti në mediat sociale, “Ukrainë, Spanja qëndron me ju”.

“I dashur @ZelenskyyUa, të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm”, shkruajti Kryeministri polak Donald Tusk në rrjetin X.

Presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve në Portugali: “Rusia është agresori dhe Ukraina është populli i sulmuar”.

Udhëheqës të tjerë evropianë, përfshirë nga Finlanda, Holanda, Republika Çeke dhe Norvegjia gjithashtu iu drejtuan mediave sociale për të shprehur mbështetje për Ukrainën.

Jo të gjithë udhëheqësit evropianë e mbështetën Ukrainën. Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili ka qenë prej kohësh kritik ndaj ndihmës ushtarake të BE-së për Kievin, postoi në rrjetin X se, “Presidenti @realDonaldTrump qëndroi me guxim për paqen. Megjithëse ishte e vështirë për shumë ta përtypnin. Faleminderit, zoti President!”

Takimi midis Presidentëve Trump dhe Zelenskyy erdhi ndërsa dy vendet po përpiqeshin për një marrëveshje që do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara qasjen tek të drejtat e mineraleve të rralla të Ukrainës. Diskutimi mori një ton luftarak rreth 40 minuta pas takimit kur Presidenti Zelenskyy ngriti pushtimin nga Rusia të Krimesë në vitin 2014.

Nënpresidenti amerikan JD Vance e kritikoi menjëherë Presidentin Zelenskyy, duke e akuzuar atë për përfshirje në një “turne propagande”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA