
Të tjera detaje janë zbardhur nga vrasja e ndodhur një ditë më parë në Tiranë, ku një palestinez vrau bashkëshorten e tij brenda një apartamenti të marrë me qira.
Top Channel mëson se çifti palestinez Ryyan Alwan 24 vjeçe dhe bashkëshorti i saj, Fadi Alwan 49 vjeç, të cilët jetonin në Gjermani, kanë fluturuar nga Gjermania dhe kanë mbërritur në Rinas më datë 19 shkurt, ku në aeroport te kontrolli i pasaportës janë prezantuar me dokumente greke.
Nga Rinasi ata kanë shkuar me taksi te zona e rrugës së Kavajës ku dhe kanë marrë apartamentin me qira.
Në pamjet filmike të datës 19 shkurt, 49 vjeçari shfaqet duke u larguar nga zona e rrugës së Kavajës dhe po më datë 22 shkurt është larguar në mbrëmje nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Greqisë.
Grupi hetimor ka dyshime të forta që edhe krimi ka ndodhur më datë 22 shkurt, pra 6 ditë më parë ku 49-vjeçari palestinez 25 vite më i madh se bashkëshortja e tij pasi fillimisht e ka dhunuar e ka vrarë me thikë dhe e ka mbuluar me një çarçaf dhe më pas ka marrë të gjithë mjetet e identifikimit, telefonin dhe çdo send personal të 24-vjeçares dhe është larguar në drejtim të Greqisë.
Ende nuk dihet arsyeja se pse çifti palestinez që i përkisnin besimit islam kishin udhëtuar drejt Shqipërisë, apo arsyet se pse e ka ndërmarrë krimin e rëndë.
Top Channel