“Përplasjet” Trump-Starmer në takim! Kreu i shtëpisë së bardhë i mbyll dyert Ukrainës në NATO, reagon britaniku

27/02/2025 21:33

Kryeministri britanik, Keir Starmer u takua me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Liderët e dy vendeve diskutuan për disa çështje të rëndësishme dhe u përballën me një mori pyetjesh nga gazetarët në Zyrën Ovale, në një konferencë për shtyp që zgjati për rreth gjysmë ore.

Një nga momentet kryesore të diskutimit ishte deklarata e Trump se Ukraina nuk do të anëtarësohej në NATO dhe se do t’u paguante evropianëve për ndihmën që ata kanë dhënë në luftën kundër Rusisë.

Ky pretendim i tij u korrigjua menjëherë nga lideri britanik, Keir Starmer, i cili e sqaroi se “vetëm një pjesë e ndihmës është dhënë si kredi, ndërsa për pjesën tjetër nuk do të ketë kurrsesi pagesa nga Ukraina”.

Në një moment tjetër të konferencës, Trump u pyet për politikën e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësinë që ky vend të shmangë tarifat prej 25% që ai ka kërcënuar se do të vendosë mbi Bashkimin Europian.

“Po flasim për një vend shumë të ndryshëm nga BE -tha fillimisht Trump – Ky është një vend ku unë kam bërë investime, pasi zotëroj prona në Turnberry, zotëroj në Aberdeen dhe kam gjithashtu një vend të mrekullueshëm të quajtur “Doonbeg” në Irlandë. Pra, kam investime të rëndësishme në vendin tuaj”, tha Trump duke lënë të kuptohet se Britania mund të veçohet nga urdhri i taksave për Europën.

Moment i rëndësishëm ishte edhe refuzimi i Trump për të përsëritur një pretendim të mëparshëm, ku ai kishte quajtur Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky një “diktator”.
Kur u pyet për këtë, Trump u përgjigj me humor: “A e thashë vërtetë këtë?”, duke shmangur diskutime të mëtejshme mbi këtë çështje.

Sa i përket negociatave për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, Starmer falënderoi Trumpin, pasi sipas tij presidenti i SHBA ndryshoi shpejt dhe vendosmëri rrjedhën e ngjarjeve, ndërsa kreu i shtëpisë së bardhë shprehu edhe një herë besimin te Vladimir Putin. “Ju nuk e përballoni dot vetëm Rusinë, apo jo? – iu drejtua ai me ironi Starmerit- Megjithatë, unë jam i bindur që Putin do ta mbajë fjalën. Rusia do të tërhiqet nga një pjesë e territoreve të pushtuara”, deklaroi Trump.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA