Orë të nxehta negociatash, aleatët në radhë te Berisha për vendet e sigurta në lista. Duka merr një deputet dhe 10 kandidatë në listat e hapura, PR dhe PL ende pa marrëveshje

25/02/2025 13:13

Në ditët e fundit përpara mbylljes së afatit zyrtar të regjistrimit të koalicioneve, në Partinë Demokratike janë shtuar lëvizjet.

Gazetarja e Top Channel, Elda Menga raporton se pas takimeve të zhvilluara dje me Mediun dhe Partinë e Lirisë, sot po zhvillohet një tjetër tur negociatash.

Më herët në selinë blu ka mbërritur kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ai i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe kreu i PAA-së, Agron Duka.

Ndërkohë në mesditë, selinë e PD-së e kanë vizituar sërish dy përfaqësuesit e Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto dhe Tedi Blushi.

Negociatat kanë si temë kryesore se sa vende në listat e sigurta do të marrin aleatët e demokratëve.

Nga negociatat e ditës së sotme i kënaqur duket se ka dalë Agron Duka i cili ka marrë një vend në listën e mbyllur dhe 10 vende të tjera në listat e hapura. Vetë Duka ka deklaruar se nuk do të kandidojë më për deputet, çka lë për t’u parë se kujt do t’ia besojë vendin në listën e mbyllur.

Ndërsa dy aleatët e there, Fatmir Mediu dhe Partia e Lirisë duket se ende kanë rezerva dhe publikisht thanë se nuk e kanë mbyllur ende marrëveshjen me Partinë Demokratike.

Kodi Zgjedhor nuk lejon koalicionet, por detyron partitë që të bashkëpunojnë duke dalë me një listë të përbashkët.

Ndërkohë që po zhvillon negociata me aleatët tradicionalë, Sali Berisha ka lënë të hapur mundësinë edhe për një bashkëpunim parazgjedhor me Shpëtim Idrizin, ndërkohë që ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lulzim Bashën.

Brenda kampit të djathtë është zyrtarizuar edhe një koalicion tjetër, ai i LZHK-së së Dashamir Shehit me partinë e sapokrijuar të Enkelejd Alibeajt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA