
Komisioni i Ligjeve, që është mbledhur këtë të martë, drejtohet nga zëvendëskryetari Eduart Ndreca, ndërsa mungon kryetarja Klotilda Bushka, e cila një ditë më parë u paraqit në SPAK.
Anëtari i Komisionit, deputeti demokrat, Dashnor Sula akuzoi Bushkën se ka dëmtuar imazhin e këtij institucioni. Madje, ai kërkoi që nëpërmjet një deklarate, anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut “të distancohen nga veprimet e kryetares”.
“Ky komision do të duhet të kishte pasur një qëndrim dhe nuk mund të kalojë në një gjendje kaq të heshtur. Të gjithë anëtarët e komisionit të ligjeve mazhorancë dhe opozitë së bashku të bënim një deklaratë të distancimit. Është e paimagjinueshme që kryetarja e komisionit të ligjeve të jetë personi që ka kryer veprime në kundërshtim të hapur me ligjin. Kudo mund ti ndodhë, por me një vetëdije të paparë në pengimin e hetimit të drejtësisë për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, kjo është e paimagjinueshme, e pafalshme. Prandaj unë do të kërkojë nga ju zoti drejtues i këtij komisioni që të kemi një deklaratë apo një prononcim që të distancohemi nga kjo sjellë që ka bërë kryetarja e Komisionit të Ligjeve, sepse ka dëmtuar rëndë imazhin e Komisionit të Ligjeve”, tha Sula.
Klotilda Bushka po hetohet për akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi sikurse dyshon SPAK ajo thirri në zyrat e Avokatit të Popullit dëshmitaren Ina Goxhaj, të cilës iu mor telefoni dhe iu kërkua të mos fliste. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat të çojnë te dyshimi i arsyeshëm se personi nën hetim _Klotilda Bushka) ka kryer veprime aktive të kundërligjshme, të cilat kanë interferuar me hetimin e organit procedues në lidhje me procedimin dosjen numër 27 të vitit 2024.
Top Channel