
Dodë Mamli i cili u ekzekutua sot në fshatin Zhej të Kurbit, është babai i Elton dhe Tom Mamli, të përfshirë në masakrën e Mamurrasit në 2015.
Elton dhe Tom Mamli akuzohen për vrasjen e Naim Tafës dhe plagosjen e Idriz Tafa dhe Altin Çoku.
Çfarë ndodhi në 2015?
Në 23 shtator të vitit 2015, rreth orës 11:30 minuta Tom Mamli, Paulin Mamli, Enrik (Elton) Mamli kanë pasur një konflikt të ashpër të armatosur me njëri-tjetrin, në qendër të Mamurrasit, pranë stacionit të trenit, me pasojë një të vrarë dhe dy të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur në datën 23.09.2015, ku kushërinjtë Gazmir, Taulant dhe Naim Tafa janë përplasur me armët me vëllezërit Elton dhe Tom Mamli. Nga konflikti i armatosur ka mbetur i vdekur Naim Tafa, ndërkohë që kanë mbetur të plagosur rastësisht shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të gjithë ata gjendeshin me shumë persona të tjerë në qëndrimin e tyre.
Sipas prokurorisë, konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli ka filluar kohë më parë në Itali, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, Edmond Tafa me vëllezërit Mamli. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri.
Rreth një muaj para ngjarjes, Edmond Tafa dhe i pandehuri Gazmir Tafa kanë rrahur në Mamurras Elton Mamlin. Pas kësaj ngjarjeje, vëllezërit Mamli kanë debatuar edhe me kushëririn e tyre, Dorjan Mamli, për faktin se ky i fundit shoqërohej me Tafajt, të cilët ishin “kundërshtarët e tyre”.
Dorjan Mamli nuk ka pranuar të shkëpusë lidhjet me Tafat dhe për këtë arsye, ditën e ngjarjes, më 23 Shtator 2015, vëllezërit Elton dhe Tom Mamli kanë rrahur kushëririn e tyre, Dorjan Mamlin. Pas episodi, vëllezërit Mamli janë larguar me mjetin e tire Range Rover.
Ndërsa Dorjan Mamli është takuar me kushërinjtë Tafa, të cilëve u ka treguar për ngjarjen. Këta të fundit (Tafat) kanë dalë me mjetin e tyre, tip “Benz”, në kërkim të vëllezërve Mamli.
Të dy palët janë përballur me njëri-tjetrin përballë stacionit të trenit dhe fillimisht kanë përplasur mjetet e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pas përplasjes, të dy palët, të armatosur, kanë dalë nga mjetet dhe kanë qëlluar kundër kundër-tjetrit. Konflikti i armatosur ka ndodhur në një moment kur ambienti ka qenë i populluar me shumë njerëz.
Nga goditjet me armë, ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Naim Tafa, i cili gjendej nën shoqërinë e kushërinjve Tafa. Po ashtu, nga goditja me armë, kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të gjendeshin rastësisht në vend të ngjarjeve.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Kurbinit në 2017 kërkoi dënimet si më poshtë:
Tom Mamli të dënohet me 33 vjet burgim
Elton Mamli të dënohet me 26 vjet burgim
Gazmir Tafa të dënohet me 24 vjet burgim
Taulant Tafa të dënohet me 24 vjet burgim
Top Channel