
Një 52-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për një seri veprash të rënda penale, u arrestua në Portin e Durrësit, ndërsa u paraqit për të tërhequr një automjet të dërguar nga jashtë shtetit.
Operacioni i koduar “Five Charges”, i zhvilluar nga Policia Kufitare në bashkëpunim me Interpolin, çoi në kapjen e Pllum Dacit, banues në Kamëz, i dënuar nga drejtësia italiane me mbi 14 vjet burg.
Pllum Daci ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma më 24 korrik 2024, pasi Gjykata e Napolit e kishte dënuar për pesë vepra të rënda penale: tentativë vrasjeje, grabitje, kanosje, vjedhje dhe shfrytëzim prostitucioni.
Nga dënimi i dhënë, i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet e 9 muaj burg.
Pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar drejtësisë, Daci u ndalua nga Policia Kufitare në Durrës, që kishte marrë informacion se ai do të mbërrinte për të tërhequr një makinë të dërguar nga të afërmit e tij jashtë vendit.
Policia organizoi arrestimin e tij në momentin e hyrjes në port. Pas ndalimit, kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.
Top Channel