
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e pranishme Konferencën e tretë vjetore të Këshillit Global për Rinovimin e Politikës, që po mbahet në Bruksel, theksoi rëndësinë për fuqizimin e institucioneve demokratike.
Në fjalën e saj, Spiropali tha se Shqipëria është vendi kandidat që po ecën më shpejt dhe me më shumë vendosmëri drejt familjes europiane.
“Përpjekjet për ndërtimin e një sistemi që ka në qendër parimet e demokracisë liberale po shkojnë paralel me kontributin tonë për lirinë, sigurinë dhe paqen. Ndër kontributet më të spikatura të Shqipërisë për sinergjinë mes moralit, politikës, të drejtës dhe paqes është investimi ynë për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë kudo në botë, por duke filluar më së pari nga Ballkani Perëndimor.
Shqipëria ka marrë aktualisht rolin e lidershipit në zhvillimet dhe integrimet rajonale si edhe rrugëtimin europian të vendeve të rajonit. Kontributi ynë është asimetrik me madhësinë e Shqipërisë, një vend relativisht i vogël për nga territori e popullsia, por protagoniste e spikatur për sigurinë dhe paqen.
Si një vend anëtar i NATO-s prej vitit 2009, Shqipëria është një anëtare aktive dhe luajale e organizatës, nëpërmjet politikave të saj paqësore, por edhe nëpërmjet kontributit të vajzave e djemve të Shqipërisë në misionet paqeruajtëse në vende të ndryshme. Shqipëria i ka shërbyer paqes me lidershipin e sajvizionar e të vendosur nëpërmjet Presidencës Shqiptare të OSBE-së gjatë vitit 2020”, tha kryetarja e Parlamentit.
Ne mund t’i kontribuojmë demokracive tona jo vetëm duke denoncuar shkeljet e dukshme të standarteve apo rregullave demokratike, por duke mbrojtur dëmtimin e heshtur, të ngadaltë dhe të vijueshëm të vlerave demokratike, vijoi Spiropali fjalën e saj.
“Nga ky vizion duhet të orientohet edhe ndërveprimi dhe partneriteti midis parlamenteve dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë në fuqizimin e kontrollit parlamentar. Korrelacioni funksional midis politikës, moralit, të drejtës dhe paqes po ndihmohet edhe nga një rrethanë jopolitike: Në Shqipëri, mes besimtarëve myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashi, ungjillorë, por edhe besimeve të tjera e jo besimtarëve, kemi ndërtuar një bashkëjetesë vitale dhe një harmoni, e cila është një ndër thesaret më të çmuara të kombit shqiptar. Toleranca, bashkëjetesa, mirëkuptimi dhe harmonia fetare janë jo vetëm një pasuri e shqiptarëve që rrezaton në kulturën dhe qytetërimet botërore, por edhe një referencë e rëndësishme për jetën politike në Shqipëri”.
Këshilli Global është një organizatë ndërkombëtare, në të cilën marrin pjesë politikanë të nivelit të lartë, presidentë kryeministra dhe anëtarë qeverish, kryetarë parlamentesh dhe parlamentarë, kryetarë partish politike, diplomatë, personalitete intelektuale, akademike, kulturore dhe të shoqërisë civile nga shumë vende të botës.
Top Channel