
Kryedemokrati Sali Berisha po zhvillon një takim me shqiptarët që jetojnë në Parma të Italisë.
Ashtu sikurse ka përsëritur gjatë ditëve të fundit, edhe në Parma, Berisha foli për Chris LaCivita, që ka përzgjedhur për fushatën zgjedhore, si personin që do t’i sjellë fitoren të djathtës në 11 Maj. “Edi Rama u tmerrua nga LaCivita”, tha kryedemokrati.
Miq, në Mynih, Edi Ramës, zëvendëspresidenti i vendit më të fuqishëm të botës, i tha ato të cilat ne ia deklaronim çdo ditë dhe çdo javë. Po pse kjo ngjashmëri? E bëri ai i nxitur nga ne? Jo, u them unë, jo. Ka një shkak tjetër më të thellë. Sepse opozita në vendin e madh, në atë vend, pësoi nga i njëjti armik, të njëjtat probleme, të njëjtat represione, të njëjtat censurë, të njëjtat akuza, siç pësoi opozita në Shqipëri.
Kjo ishte arsyeja pse zëvendëspresidenti JD Vance shpalli armik më të rrezikshëm për Europën, se rusi dhe kinezët, atë që arreston liderët e opozitës për të marrë mandatet. Atë që censuron mediat sociale. Atë që kontrollon mediat dhe arreston gazetarët.
Në këto dy javë kishte një zhvillim tjetër të madh. Të nesërmen e largimit tim nga Roma, para shqiptarëve u paraqita me kryestrategun, me kryemagjistarin, bashkëkryemagjistarin e fushatës elektorale të presidentit Donald Trump, Chris LaCivita. Shkallmoi Edi Rama, u tmerrua, e pa me sy humbjen, fatalitetin e tij. Dhe menjëherë, me mediat e tij, deklaroi se Chris LaCivita u ble nga Berisha. Po, po të ishte puna për të blerë, po ai e ngatërroi Chris LaCivita me McGonigalin”.
Kryemagjistari i fitores, i rikthimit më të jashtëzakonshëm në histori, presidentit Donald Trump, ua tha shqiptarëve hapur, jam këtu për të mbështetur PD dhe Sali Berishën për Shqipërinë madhështore, për Shqipërinë aleate dhe mike të vërtetë të SHBA dhe Amerikës.
Teksa përmendi arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, Berisha tha se “kur bie kryeqyteti, rrezikon qeveria”.
“E kishim edhe një zhvillim tjetër shumë madhor. Në historinë e regjimeve, kur bie kryeqyteti, diktatura është e pashpresë. Ra Tripoli, iku Gadafi. Ra Damasku, iku Asadi. Ra Tirana, do ikë Edi Rama. Do thyejë qafën Edi Rama. Këtu, kam një nderim të madh dhe në emër tuaj dua të përshëndes ata qytetarë të Tiranës, që në 44 beteja përzunë nga bashkia kryehajdutin e qytetit të Tiranës, Lali Vjedhësin”.
Top Channel