Zgjedhjet, BE dhe Britania pro SPAK/ Ndërkombëtarët mbështesin prokuroritë për bashkëpunimin me KQZ

21/02/2025 19:34

E ndërsa aktorët kryesor në garën elektorale të 11 Majit kanë shprehur rezerva për strategjinë e “Parandalimit të  Krimit Zgjedhor” publikuar nga SPAK, vinë reagimet e para prej ndërkombëtarëve.

Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar, mbështetën dhe vlerësuan bashkëpunimi midis Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK dhe Policisë për parandalimin e krimeve zgjedhore.

“Qytetarët presin që partitë politike të paraqesin kandidatë me integritetin më të lartë, në përputhje me ligjin dhe frymën e tij. Autoritetet duhet të bëjnë përpjekje të vërteta për të rritur ndërgjegjësimin mbi blerjen e votave dhe dëmin që ajo i sjell integritetit të zgjedhjeve.

Në këtë kontekst, dua të përshëndes iniciativën e ndërmarrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Policia e Shtetit për të koordinuar veprimet e tyre përpara zgjedhjeve të majit, me qëllim adresimin e mundshëm të krimeve zgjedhore si një mënyrë për të garantuar besimin në procesin zgjedhor.

Bashkëpunimi midis Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK dhe Policisë për parandalimin e krimeve zgjedhore është një shembull i mirë. Pres me interes të dëgjoj më shumë nga këto institucione për nismat dhe përpjekjet e tyre të koordinuara”, thotë Silvio Gonzato.

Edhe Nicholas Abbott ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë mbështeti përpjekjet për të luftuar krimet zgjedhore. Shprehu shqetësimin për paratë që financojnë fushatën elektorale.

“Rekomandimet e mëparshme të ODIHR duhet të zbatohen dhe nuk duhet të injorohen thjesht si këshilla të mira. Masat e propozuara janë vitale për kredibilitetin e procesit elektoral në Shqipëri.

Zgjedhjet e këtij viti, janë një mundësi për të treguar se institucionet shqiptare, bashkë me partitë politike kanë zhvilluar maturi dhe përmes këtyre zgjedhjeve, të tregojnë se Shqipëria është gati ti bashkohet BE-s. Elementi thelbësor për këtë, është transparenca në përdorimin e fondeve gjatë fushatës zgjedhore.

Siç gjërat janë sot ka një rrezik. Nuk ka mjaftueshëm fuqi për të zbuluar nga vinë paratë për fushatën zgjedhore”, shprehet ambasadori britanik.

Roli i KQZ, SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme theksoi ambasadori Abbott janë vendimtarë për të patur një proces të besueshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA