Sfidat me të cilat po përballet gjuha shqipe/ Gjuhëtarët: E rëndësishme ruajta e dialekteve, duhet terminologji e njehsuar Shqipëri-Kosovë

21/02/2025 20:11

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, të shpallur 23 vite më parë nga UNESCO për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe edukimin shumëgjuhësh, studiues dhe gjuhëtarë diskutuan në Tiranë sfidat me të cilat përballet sot gjuha shqipe.

“Qenia që lind është e gatshme për t’u bërë njeri, por nuk mund të bëhet pa shoqërinë dhe gjuhën. Me gjuhën ne bëhemi njerëz dhe pjesë të kësaj shoqërie”, u shpreh gjuhëtari Prof. Dr. Xhevat Lloshi.

Krahas pranimit të huazimeve, për gjuhëtarët është e rëndësishme ruajta e shqipes e veçanërisht dialekteve.

“Nuk duhet t’u shpallim luftë huazimeve, por nga ana tjetër, duhet të jemi të kujdesshëm për përdorimin pa kriter të fjalëve të huaja dhe të panevojshme që e shpërfytyrojnë gjuhën”, tha Prof. Dr. Anila Omari.

“Futja e fjalëve shtegtare, kërkesa e shkollës për të përdorur gjuhën standarde, futja e termave të teknologjisë ka bërë një presion mbi gjallërimin e dialekteve. Media ka një rol shumë të madh. Sa shumë përdoren fjalë të huaja në media, por pse nuk përdoren fjalë dialektore. Më bën përshtypje një djalë në Big Brother që përdor gjuhën kosovarçe, ai përdor fjalë shumë të bukura. Mendoj se gjuha shqipe ka nevojë të gjallërohet, jo vetëm me forma leksikore, por edhe me forma sintaksore”, vuri në dukje Prof. Dr. Mimoza Gjokutaj.

Ruajtja e gjuhës së nënës është thelbësore për të mbajtur gjallin kombin dhe kulturën, ndaj për studiuesit është i nevojshëm njehsimi i terminologjive në Shqipëri dhe Kosovë.

“Ministritë e Arsimit të dy shteteve të krijojnë një komision të përbashkët për terminologjinë e lëndëve shkollore. Është urdhëruese që këto terminologji të arrijnë në një farë njehsimi sepse ka shumë ndotje gjuhësore që nuk ka fuqi një gjuhëtar që të bindës, për shembull, autoritetet e Tiranës të heqin fjalën markatë. Është një ndotje gjuhësore në mes të Tiranës”, tha Prof. Dr. Emil Lafe.

Për të ruajtur ekzistencën e saj, gjuha shqipe duhet të integrohet në teknologjitë e avancuara, sikurse është dhe Inteligjenca Artificiale për të qenë e pranishme te brezat e rinj, veçanërisht ata që jetojnë jashtë trojeve shqiptare.

“Niveli i njohurive që sot shtetasit shqiptarë kanë për gjuhën shqipe në vende të ndryshme të botës dhe përdorimi i tyre është i kufizuar nga vendi ku ata emigrojnë. Ata që emigrojnë janë forca në mbijetesën e shqipes, por duhet një fokus më i madh që e bën qeveria, por mund ta bëjnë dhe studimet. Është mundësia në kohën e teknologjisë që shqipja të jetë më e afër dhe për ata që janë në situata gjeografike të largëta nga Shqipëria”, u shpreh gjuhëtarja Linda Mëniku.

Një popull pa gjuhën e tij është si një pemë pa rrënjë, thotë gjuhëtarët, që theksojnë se ruajtja dhe promovimi i gjuhës amtare është detyrë e çdo individi dhe institucioni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA